VLEN: Nga Qafë Thana në Manastir, 22 Nëntori shënohet me marrëveshje të reja dhe bashkëpunim ndërshqiptar

Advertisement

22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, këtë vit u shënua me aktivitete dhe zhvillime të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Përfaqësuesit e VLEN-it, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, morën pjesë në përurimin e pikës së përbashkët kufitare „One Stop Shop“ në Qafë Thanë, ndërsa aktivitetet vazhduan në Manastir, aty ku u mbajtën edhe manifestimet për Ditën e Alfabetit.

Sipas komunikatës së VLEN-it, me funksionalizimin e sistemit „One Stop Shop“, kontrollet kufitare mes dy vendeve do të kryhen në një pikë të vetme, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe duke shkurtuar pritjet në kufi. Marrëveshja parasheh zbatimin e këtij modeli edhe në pikat kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht-Trebisht.

Nga VLEN-i theksojnë se ky bashkëpunim vjen pas zbatimit të modelit të njëjtë me Kosovën dhe paraqet një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit dhe forcimit të lidhjeve mes vendeve.

Gjatë qëndrimit në Manastir, udhëheqësia e VLEN-it zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të ardhmen.

Përfaqësuesit e VLEN-it vizituan edhe Shtëpinë e Alfabetit dhe morën pjesë në manifestimin kushtuar 22 Nëntorit, ku u nderua trashëgimia e Kongresit të Manastirit.

Aktivitetet u përmbyllën me koncertin „Mora udhë kah Manastiri“, ku performuan tri ansamble shtetërore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në fund të komunikatës, VLEN thekson se trashëgimia e Kongresit të Manastirit duhet të vazhdojë të jetë simbol i bashkimit shqiptar, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet vendeve duhet të përkthehet në lehtësira konkrete për qytetarët, më pak pritje në kufi dhe më shumë mundësi zhvillimi.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit