Thelbi i çdo ekonomie nuk është vetëm kapitali apo tregu, është puna e njeriut dhe dinjiteti që ajo bart. Një shoqëri e drejtë ndërtohet mbi ekuilibrin mes nevojave të biznesit dhe mbrojtjes së punëtorit. Pikërisht këtë ekuilibër sjell Ligji i ri për Angazhimin me Punë të Personave, i prezantuar në Tetovë nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në takimin me përfaqësues të sektorit të hotelierisë, bujqësisë dhe ekonomisë.
Ky ligj vendos një balancë të domosdoshme: fleksibilitet për bizneset dhe siguri juridike për punëtorët. Përmes një procedure të thjeshtuar elektronike, angazhimet sezonale dhe të kohëpaskohshme formalizohen, me kontribute të paguara dhe me garanci ligjore për të gjithë të përfshirët.
Në rajonin e Pollogut, ku hotelieria dhe bujqësia janë shtylla të ekonomisë lokale, ky model përfaqëson një instrument konkret për uljen e ekonomisë gri dhe për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë, studentët dhe pensionistët që duan të përfshihen ligjërisht në tregun e punës.
VLEN e sheh këtë si politikë që prodhon rezultate reale në terren: mbështetje për bizneset e vogla e familjare, forcim të ekonomisë lokale dhe garantim të kushteve të drejta për punëtorët. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një tregu pune më të rregulluar, më të drejtë dhe më të qëndrueshëm. VLEN riafirmon angazhimin për politika që vendosin qytetarin dhe dinjitetin e tij në qendër të zhvillimit ekonomik.



