VLEN thekson se zgjedhjet lokale të 11 janarit i sheh si një përballje mes qeverisjes reale dhe improvizimit politik, duke vënë në pah se komunat duhet të drejtohen me përgjegjësi dhe fokus në zhvillim, e jo të shërbejnë si mjete për mbijetesë politike. Në këtë kuadër, koalicioni nënvizon nevojën për rikthim të punës serioze në Gostivar, duke e lidhur atë me përvojën e mëparshme qeverisëse dhe forcimin e organizimit zgjedhor, ndërsa në Vrapçisht prezanton mbështetjen për një kandidat të pavarur që, sipas tyre, gëzon besim të gjerë qytetar dhe përfaqëson mundësi për zhvillim dhe mirëqenie më të madhe, duke ritheksuar se angazhimi i VLEN-it mbetet i orientuar nga interesat e qytetarëve dhe funksionimi i komunave.
Reagimi i plotë:
Komunat nuk janë strehë për mbijetesë politike, por përgjegjësi për punë, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarëve. Në këtë frymë, VLEN po vijon konsolidimin e strukturave zgjedhore në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit.
Në Gostivar, qytetarët e dinë mirë se hera e fundit kur është punuar seriozisht ka qenë gjatë udhëheqjes së Nevzat Bejtës. Sot është koha që qyteti të rikthehet te puna dhe të rregullojë dëmet e improvizimeve. Në këtë drejtim po forcohet edhe organizimi zgjedhor, me Bahar Shabanin që merr përgjegjësinë e drejtimit të shtabit zgjedhor.
Në Vrapçisht, nevoja për vëmendje, zhvillim dhe mirëqenie është e qartë. Zulhajrat Demiri, kandidat i pavarur i mbështetur nga VLEN-i, është figura unifikuese e kësaj komune, me përkrahje të gjerë qytetare. Ky besim po reflektohet edhe në organizimin e fushatës, ku Bunjamin Kadriu është zgjedhur të udhëheqë shtabin zgjedhor.
Zgjedhjet lokale të 11 janarit janë zgjedhje mes punës dhe improvizimit, mes përgjegjësisë dhe mbijetesës politike.
VLEN gjithmonë do të jetë me qytetarin, me punëtorin dhe me çdo zë që kërkon komuna funksionale dhe një jetë më të mirë.





