VLEN: Edhe një gënjeshtër e BDI-së u shemb, në vitin 2024 ka rritje të përfaqësimit të drejtë

Asgjë nuk po i ecën BDI-së për dore. Provoi gjithçka dhe dështoi në gjithçka. Edhe PR-trukun e “referendumit”, që e përdori si mashtrim, realiteti ia përplasi për fytyrë me dhjetë komuna të humbura.
Më herët bërtiste për “deshqiptarizim”. Jo sepse i dhimbeshin shqiptarët, por sepse humbi kontrollin mbi institucionet. BDI nuk ka pasur hallin e shqiptarëve. Gjithmonë e ka pasur hallin si t’i mbajë institucionet peng për veten dhe për klikën e saj.
Raporti zyrtar për vitin 2024 ua mbyll gojën edhe një herë. Përfaqësimi i shqiptarëve jo që nuk ka rënë, por është rritur nga 21.7 për qind në vitin kur ata ishin në pushtet, në 22.3 për qind tani kur VLEN është në Qeveri. Faktet e zhveshin BDI-në lakuriq. Paniku ishte i rremë, ndërsa narativa ishte propagandë e ulët.
Kur BDI humbi pushtetin mbi institucionet, filloi të shesë gënjeshtrën se po humbnin shqiptarët. Kjo ishte mashtrimi më i madh. E vërteta është kjo. BDI kishte hallin si t’i frikësonte shqiptarët, si t’i mbante vazhdimisht të tensionuar, si t’i manipulonte emocionalisht dhe si t’i përdorte si mburojë për pazaret dhe aferat e veta.
Me VLEN në qeveri ky cikël po merr fund. Për herë të parë pas 23 vitesh po sjellim Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili do të vlejë për çdo institucion në këtë shtet, edhe për ato institucione ku deri më sot, “falë” balancuesit, shqiptarët nuk kishin qasje. Një ligj i qartë, i detyrueshëm, i mbikëqyrshëm dhe i pakapshëm për pazare politike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit