22.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

VLEN: BDI gati ta shesë Strugën tek Levica, por më 19 tetor Qyra do ta çlirojë me votën e qytetarëve

Skandali më i fundit që ka dalë në opinion është dëshmi se BDI ka humbur çdo lloj orientimi politik, deklaron koalicioni VLEN. Nëpërmjet një reagimi të ashpër, VLEN ka denoncuar marrëveshjen e fshehtë mes të dërguarit të Ali Ahmetit, Krenar Lloga, dhe kreut të Levicës, Dimitar Apasiev, ku është përfshirë edhe sekretarja e përgjithshme e kësaj partie, Jovana Mojsovska.

Sipas VLEN-it, skenari është i qartë: Mojsovska do të kandidojë në Strugë si një “kandidate surprizë”, me mision të mbledhë votat e bllokut maqedonas, për të penguar fitoren që në rrethin e parë të kandidatit të opozitës shqiptare, Mendi Qyra.

“Ky është një plan i turpshëm, i orkestruar nga Lloga dhe BDI, që bashkëpunojnë hapur me forca politike që e kanë ngritur karrierën e tyre mbi albanofobi. Kjo është prova më e fortë se BDI është e gatshme të shkelë mbi çdo gjë vetëm e vetëm për të mbetur relevante në skenë. Për ta, pushteti është më i rëndësishëm se dinjiteti i shqiptarëve, pazaret e errëta me albanofobët vlejnë më shumë se e ardhmja e struganëve”, thuhet në reagim.

VLEN thekson se opinioni publik nuk duhet të bjerë pre e skenarëve të tillë:

“Pyetja është e thjeshtë dhe mbetet pa përgjigje: për çka u morën vesh Krenar Lloga dhe Apasievi? Për ta shitur Strugën? Për të ndalur ndryshimin? Për të mbajtur gjallë një pushtet të kalbur me korrupsion e krim që ka mbisunduar në Strugë këto 20 vite?”

Në fund, VLEN shprehet i bindur për fitoren e kandidatit të tij në Strugë:

“Pavarësisht pazareve të errëta, pavarësisht marrëveshjeve të fshehta e të turpshme, Mendi Qyra do të ngadhënjejë në Strugë më 19 tetor. Vullneti i qytetarëve nuk blihet, nuk frikësohet dhe nuk ndalet nga marrëveshje të fëlliqura politike”, përfundon reagimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit