VLEN i bëri thirje liderit të BDI-së Ali Ahmetit që të jap llogari para qytetarëve lidhur me informacionet për tentim-kthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit në vend. Zëdhënësi i VLEN-it Driton Sulejmani tha se VLEN nuk do të lejojë që skandalet t’i mbulojë pluhuri i heshtjes pa dhënë llogari përballë popullit dhe drejtësisë. “Nga Shkupi i themi Ali Ahmetit mos kërko konak në Zvicër por eja përgjigju opinionit për mikun tend të çmuar Nikolla Gruevskin”, tha ai.
“Zotri Ahmeti ju tentuat ta ktheni Gruevskin dhe dështuat, tani radhën e ka opinion të merrë vesh se si ju me meraklit e kazinove tentuat ta ktheni dhe amnestoni famëkeqin Nikolla Gruevski. Eksponentë të lartë të BDI-së orkestruan rikthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në Shkup. Kjo parti që thirret si parti shqipëtare në heshtje ka punuar për rikthimin e tmerrit të shqiptarëve Gruevskit vetëm për ta zgjatur pushtetin e tyre”tha Driton Sulejmani zëdhëndës i VLEN-it
I pyetur lidhur me mohimet e BDI-së ndaj këtyre akuzave Sulejmani thotë se është një tentativë e pa sukseshme për t’i ikur të vërtetës. Ai theksoi se edhe ndryshimet e kodit penal që u bënë nga koalicioni LSDM-BDI u bënë me qëllim të kthimit të Gruevskit.
“Gjithashtu kemi edhe disa ngjarje që kanë ndodhur në shtetin tonë në kohën kur qeveriste LSDM-BDI, siç ju kujtohet rasti i ndryshimit të kodit penal që ka qenë një vepër politike skandaloze, e këtë fatkeqsisht e bënë edhe duke e keqpërdorur flamurin Europian ku në mënyrë të kontrabanduar i votuan ndryshimet ligjore për ti ulur dënimet e atyre që kanë keqpërdorur pozitat e tyre që i kanë pasur. Kjo na sjell dyshime se gjithë këto ndryshime ligjore janë bërë me të vetmin qëllim për ta kthyer Nikolla Gruevskin këtu”tha Sulejmani.
Nga VLEN theksojnë se për kthimin e Gruevskit ka pasur një takim në Vodno që është mbajtur në muajin mars dhe se në takim kanë marrë pjesë ish presidenti Stevo Pendarovski, ish kryeministri Dimitar Kovaçevski, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, Ish Zv. Kryeministri për çështje europiane Bojan Mariçiq, Ish Zv. Kryeministri I qeverisë Artan Grubi dhe ish ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani. Lidhur me planin për lirimin e Gruevskit, Sulejmani thotë se aso kohe është bërë edhe presion ndaj gjykatës së lartë ku edhe pati rezultuar me iniciativë për shkarkim të gjykatëses Besa Ademi.