Flonja Haxhaj
Në historinë e luftës së Kosovës, ka emra që nuk janë gdhendur në armë apo në dokumente politike, por në imazhe që flasin edhe kur fjalët mungojnë. Visar Kryeziu është njëri prej atyre që e përjetoi luftën përmes objektivit. Ndonëse i ri në moshë, e i pamësuar me ashpërsinë që një aparat ushtarak mund bënte, ai qëndroi prapa shkrepjeve të imazheve që dokumentuan shumë ngjarje që e përcollën Kosovën gjatë luftës por edhe pas saj, shkruan KultPlus.
Ndonëse fotografinë e nisi si pjesë e formimit akademik në Fakultetin e Arteve, rrugëtimi i Visar Kryeziut shumë shpejt u përcaktua nga rrethanat historike, ngjarjet që pasuan njëra-tjetrën e që do të shndërronin fotografinë nga një interes personal në një mision dokumentues.
Në një intervistë për KultPlus, Visar Kryeziu rrëfeu në mënyrë të detajuar përfshirjen e tij në fotografi, ballafaqimin e drejtpërdrejtë me luftën, nga terrenet e rrezikshme të Drenicës, te masakra e Prekazit, Reçakut, kampet e refugjatëve, si dhe realitetin e rëndë të Kosovës së atyre viteve.

Para se lufta të bëhej përditshmëri, fotografia për Visar Kryeziun ishte vetëm një pasion, një lëndë e preferuar në studimet në Fakultetin e Arteve.
“Gjithçka filloi në vitin 1997. Unë isha duke punuar kamarier, isha në studime në Fakultetin e Arteve dhe kishim lëndë profesionale fotografinë. Ta blesh një film, ta zhvillosh e të fotografosh kushtonte diku rreth 50 marka, e në vitet ’96–’97, 50 marka ishin sa sot rreth 300–400 euro. Për një djalë që nuk punonte në profesionin e fotografisë, të bëje fotografi ka qenë shumë e shtrenjtë. E kështu, pasi kisha lëndë profesionale fotografinë në fakultet, e kuptova se sa më shumë që merresh me një lëmi, aq më i mirë bëhesh”, tha Kryeziu, teksa shtoi se megjithatë, kishte pak prirje për fotografi, pasi prindi i tij kishte qenë fotograf e kameraman.
Më pas, fotografia për Kryeziun do të bëhej profesion, pasi ai aplikoi në Kohën Ditore si forograf, atëherë kur ai ishte veç 19 vjeç. Ai shpjegon se ndonëse procesi i rekrutimit ishte i gjatë, ai së bashku me fotografin Alban Bujari, u pranuan në këtë medium si në formë testuese.
“Kur hymë, fillimisht nuk kishte ngjarje, ishte njëfarë qetësie para stuhisë që tani s’di ta shpjegoj me fjalë. E përnjëherë filluan ngjarjet, filluan sulme në Drenicë, dhe në atë kohë vërehej ajo frika, frikësoheshim edhe me dalë në terren. Të jesh i ri në profesion, dhe kur e sheh që eprorët e tu po e ndjejnë frikën, automatikisht reflektohet ajo frika. Megjithatë ne si më të rinj, në mungesë të eksperiencës, e duke mos e ditur se çka mund të bëjë një aparat ushtarak, e kishim ndjenjën që do të mund të dilnim në terren”, thotë ai, duke shtuar se ashtu edhe bënë, ata filluan të dilnin në terren dhe të kuptonin se mund ta mbulonin pavarësisht situatës së vështirë që ishte.
Ndërkohë, në atë periudhë, Visar Kryeziu shpjegon se aparati shtetëror serb kishte krijuar një narracion për atë se çka po ndodhte në Kosovë, dhe se gazetarët e huaj e merrnin atë informacion ashtu siç u servohej. E kjo bëri që gazetarët dhe fotoreporterët në Kosovë ta marrin si mision që t’i marrin vetë gazetarët e huaj në Kosovë, t’i dërgojnë në terren, që edhe në opinionin ndërkombëtar të transmetohej sakt ajo se çka po ndodhte.
“Ishim si një ushtri e vogël e fikserave, përkthyesve, gazetarëve që u kanë ndihmuar gazetarëve të huaj dhe i kemi dërguar në vend të ngjarjes që ata ta kenë storien më të besueshme”, theksoi ai.
S’do të shkonte shumë dhe do të fillonin sulmet e para të ushtrisë serbe në Kosovë. E me gjithë këtë, Visar Kryezoi thotë se filluan edhe shkëndijat e para të shpresës se ata mund t’i rezistojnë një ushtrie si ajo e Serbisë. Megjithatë, sa herë që ajo ndjenjë ngjallej, përgjitha e aparatit shtetëror serb shkonte vetëm duke u ashpërsuar.

Ndërkaq, ballafaqimi i parë i drejtpërdrejtë i Visar Kryeziut me një masakër do të ndodhte në Qirez e Likoshan, aty ku forcat serbe kishin ekzekutuar të gjithë burrat që kanë gjetur aty, e duke mos kursyer edhe një grua shtatzënë.
“Një prej storieve që ka pasë jehonën më të madhe që mendoj ka qenë pas sulmit në Qirez – Likoshan. Kam qenë me një gazetar amerikan i cili ka qenë shumë kurioz të shkojë në vend të ngjarjes. Më tha ‘a shkojmë’, i thashë po, megjithëse nuk e kisha as idenë se ku janë Qirezi e Likoshani, megjithatë e gjetëm. Kur shkuam aty, kishte ndodhur sulmi, e patrulla serbe kishte ekzekutuar të gjithë burrat që kishte gjetur në fshat, e bashkë me ta edhe një grua shtatzënë”, thotë Kryeziu, teksa tregonte imazhet e rënda e mizore, që forcat serbe kishin ushtruar mbi këto viktima.
Tutje në rrjedhën e dokumentimit të ngjarjeve të luftës, Visar Kryeziu rrëfen takimin e parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në një periudhë të tensionuar, në një kohë kur po ktheheshin nga terreni. Deri atëherë, UÇK-ja kishte ekzistuar më shumë si simbol, si prani e nënkuptuar në vizatime në borë dhe me epitetin ‘ATA’.
“Personat e parë që i kam takuar shqiptarë të armatosur e me uniformë kanë qenë Adem Jashari dhe Abedin Rexha që na kanë ndalë. Unë më 12 shkurt 1998, isha me Kohën Ditore, ishim me një ngjarje, pasi forcat serbe kishin plagosur një fëmijë tetë-vjeçar. Duke u kthyer, i pamë, njëherë menduam se janë forcat serbe. Kur na ndalën, ishte edhe një ndjenë frike edhe krenarie. E aty i dëgjova për herë të parë fjalët ‘jeni të lirë, tash jeni në territorin e kontrolluar prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kushdo që ju ndal ose ju thotë diçka u tregoni që ju kemi kontrolluar’, e në atë moment mu bë zemra mal”, tha Kryeziu, i cili duke shfletuar në arkivën e tij të fotografisë, tregon imazhe të pjesëtarëve të UÇK-së.

S’do të shkonte shumë, e do të ndodhte edhe masakra në familjen Jashari në Prekaz. Kryeziu e shpjegon se ky moment shënoi një pikë ku frika kolektive kishte paralizuar çdo lëvizje, madje edhe të gazetarëve që tashmë kishin përvojë në terren. Për shkak të shtetrrethimit, dëpërtimi deri atje ishte pothuajse i pamundur.
“Gazetarët e huaj kërkonin që të shkojmë në Prekaz, u thashë se është gati e pamundur sepse ishte një lloj shtetrrethimi që ta pamundësonte depërtimin. Më pas filluan protestat në Prishtinë dhe unë mora një telefonatë nga Koha Ditore, kur shkova më priste një makinë para dere, ishte Liridon Cahani me një korrespodent të BBC-së, minoritet i Hungarisë, që jetonte në Beograd. Pasi hipa në veturë, rrugës mora vesh që po shkojmë në Prekaz”, thotë Kryeziu.
“Kur shkuam në Skenderaj, ishte një deponi e materialit. Gazetari i Beogradit doli të fliste me policin që ishte aty. Ai e përzuri disa herë, megjithëse me të kishte qasje ndryshe ngaqë kishte nënshtetësi serbe. Duke hyrë në makinë, gazetari hungarez i tha policit: ‘Kemi dëgjuar se Adem Jashari është gjallë, është lajmëruar nga Tirana’. Nga aty u afrua polici, mu drejtua mua, më kapi në krah dhe më tha: ‘Hajde, fotografoje atë që është lajmëruar nga Tirana’”, tregon ai, teksa rrëfen me përballjen e parë që pati me trupat e familjes Jashari, në mesin e tyre shumë gra e fëmijë.

Përballja me trupat nuk ishte vetëm një shok emocional, por edhe një moment kur fotografia mori kuptimin e provës ligjore dhe historike. Në ato çaste, Kryeziu e pa veten jo vetëm si foto reporter, por si dëshmitar që duhej të dokumentonte çdo trup, çdo krim, çdo humbje.
“Fillimisht mendova që po më ekzekutojnë. Duke shkuar rrugës, pashë trupat. ‘Fotografo’, më tha. Në këtë moment, kur i pashë trupat e familjes Jashari, mu duk vetja sikur po punoja në një prokurori dhe më duhej të kisha dëshmi të të gjithë trupave se kë e kanë vrarë. Në mesin e tyre kishte plot fëmijë e gra. Prej frikës, jo vetëm që fotografova, por pyetja ishte si t’i dërgoja për publikim. Misioni im ka qenë t’i realizoj ato foto dhe, nëse kisha mundësi, me shku në punë edhe me i publiku”, tregoi ai.
Publikimi i këtyre fotografive do të kishte jehonë të jashtëzakonshme, duke e kthyer vëmendjen e botës drejt Kosovës dhe duke shënuar një pikë të pakthyeshme në rrjedhën e ngjarjeve. Sipas Kryeziut, ashtu siç ka qenë njëfarë dëshpërimi në popullatë, publikimi i atyre fotografive ka qenë si një lloj momentumi, një mobilizim, ku u ndanë gjërat, nuk kishte më metoda paqësore dhe aty filloi kthesa.
Më pas, Visar Kryeziu do të bëhej pjesë e agjensionit të lajmeve Associated Press, një ofertë që fillimisht e refuzoi, e që më vonë do të bëhej pjesë e saj dhe do të merrte shpërblimin që të gjitha fotografitë të publikoheshin me emrin e tij, si një dëshmi e kontributit të tij në atë periudhë.
“Mua ma ofruan punën në AP shumë herët, mirëpo e pata refuzuar me mendimin që do të më duhej të punoja me serbë. Përveç asaj që nuk e dija çka është në tërësi dhe çfarë përfaqëson AP, nuk e kam pasur të vizualizuar çka është një agjenci e lajmeve. Kur mu ofruan sërish e pranova. Unë kam qenë një ndër të parët që jam bërë pjesë e kësa agjensie. AP e ka pasë rregull që çdo fotografi të publikohet me emër, e unë aty e kam pasë shpërblimin më të madh, që fotografia të publikohet në emrin tim”, tha ai, duke shtuar mes tjerash se në atë kohë, ishte një bindje që të gjithë do të vdisnin, e kështu mundoheshin të bënin diçka si kontribut, sepse sipas tij, s’kishin një pasqyrë të së ardhmes.
Kur flitet për imazhin që pati jehonën më të madhe ndërkombëtare, rrëfimi i Kryeziut lidhet drejtpërdrejt me Masakrën e Reçakut, një ngjarje që, sipas tij, ndryshoi rrënjësisht rrjedhën e procesit politik dhe diplomatik për Kosovën. Nga përpjekjet për një zgjidhje paqësore, rasti i Reçakut e shndërroi çështjen e Kosovës në një urgjencë ndërkombëtare, ku ndërhyrja nuk shihej më si opsion, por si domosdoshmëri.
“Duke e marrë parasysh që Masakra e Reçakut e ka kthyer komplet atë rrjedhën e ngjarjeve dhe storjes, e aty prej një misioni diplomatik për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, u kthye në zgjidhje të çështjes së Kosovës me çdo kusht, edhe nëse ajo do të jetë me bombardim të Serbisë. viktima. Pas raportimit për Reçakun, veç u alarmuan të gjitha çarqet edhe të huajat, edhe diplomacitë e ndërkombëtarët. Më pas kur u kthyem për herën e dytë, Ëilliam Ëoker, vendosi me ardhë me pa me sy të vetë, më pas u organizua konferenca e famshme ku Ëolkeri thotë se ky është një krim kundër njerëzimit, gjenocid”, tha ai.
Kryeziu e sheh fotografinë nga varrimi në Reçak jo vetëm si një dokument të rëndësishëm historik, por edhe si një imazh që mban një ekuilibër të rrallë mes forcës vizuale, etikës dhe konceptit artistik. Për të, ajo fotografi nuk shërbeu thjesht për të tronditur, por për të artikuluar peshën e krimit përmes heshtjes që e përçon.

“Unë nuk mund të them ndër fotografitë më të mira, por mendoj që kjo foto nga varrimi në Reçak ka pasë popullaritet shumë të madh dhe ka luajt rol kyç në atë narrativën që nuk ka mundësi me u zgjidhë në mënyrë paqësore. Kjo ka qenë një nga fotot që unë mendoj që e ka edhe konceptin artistik dhe nuk është e rëndë etikisht, ku vargu i kufomave e tregon barrën e rëndë. Kjo fotografi mendoj që e ka pasë një rol shumë të madh në ndërrimin e mendimit për storjen e Kosovës”, tregon më tutje ai.
Pas Masakrës së Reçakut, realiteti i raportimit nga Kosova ndryshoi rrënjësisht. E kjo ia pamundësoi edhe Visar Kryeziut të vazhdojë punën nga Prishtina dhe vendos të shkojë në Shkup për disa ditë. Pas disa ditëve, filloi bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovës. Në atë kohë, Kryeziu, përcolli edhe krizën e refugjatëve kosovarë në ato pjesë.

E të raportosh në këto vende, ngjarje, që kanë të bëjnë me njërëzit e vendit tënd, ai shprehet se ka qenë shumë e vështirë të ruhet objektiviteti, duke e parë atë se çka po ndodhë, dhe botën që atëherë i mbyllte sytë.
“Ah, e vështirë ka qenë shumë sepse ne kemi raportuar dhe kemi përcjellë lajme të njerëzve tanë, që ndonëse nuk kemi pasë lidhje të drejtpërdrejta me ta, prapë kanë qenë njerëzit tanë dhe i kemi përcjellë sikur të ishin anëtarë të familjes tonë. Ne nuk mund të pajtoheshim me faktin se çka po ndodhë, dhe më e keqja që nuk gjykohej e as nuk po ndëshkohej askush, na dukej shumë absurde se si bota po e toleron këtë”, thotë Kryeziu.
Ndërkaq, Visari, ka vazhduar të jetë prapa imazheve në momente që shoqëruan Kosovën edhe pas luftës, rikthimi, zhvarrimi i varrezave masive, viktimave, identifikimi i trupave, marrja e trupave në kufi, ndërtimi i narracionit për Pavarësinë e Kosovës. Ai ka shkrepur çdo ngjarje që ka shënuar Kosovën deri në vitin 2021.
Megjithatë, ai shprehet i zhgënjyer me pjesën se sa po punojnë institucionet në ruajtjen e këtyre fotografive. Ai shpreh nevojën e një instituti që do të mund të merrte fotografitë e tij e të fotografëve të tjerë në mënyrë që të krijohet një rrëfim i përgjithshëm dhe vizual i gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë.
“Unë mendoj që duhet ta kemi institut të krimeve të luftës, një institut që do të bënte mbledhjen e këtyrë materialeve, evidentimin e emrave, të datave dhe të krijohet një storje e përgjithshme. Ne duhet të punojmë që të mbërrijmë të ofrojmë një narracion të përgjithshëm por të saktë se çka ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Një bashkërendim i mendjeve intelektuale dhe profesionale, që i japin një epilog sado të saktë të asaj se çka ka ndodhur në Kosovë, ne nuk e kemi. E mendoj që përderisa ne nuk e bëjmë këtë, do ta kemi të vështirë ta dëshmojmë se çka ka ndodhë në Kosovë”, përfundoi ai./KultPlus.com



