Shkup, 12 shtator – Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, sot para qytetarëve prezantoi prioritetin kryesor të programit të tij: pastrimin e komunës nga korrupsioni dhe administrata partiake.
Në fjalën e tij, ai theksoi se qyteti po përballet me kriza të shumta – nga mbeturinat, qentë endacakë dhe trafiku, deri te rënia ekonomike dhe largimi i të rinjve – por se rrënja e të gjitha problemeve është administrata e kapur partiakisht dhe e korruptuar.
“Çdo vend pune në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike do të vihet në pikëpyetje. Profesionalizmi dhe përkushtimi do të jenë kriteri i vetëm, jo librezat partiake. Drejtorët partiakë do të shkarkohen menjëherë dhe çdo punonjës do të kalojë në një periudhë prove prej tre muajsh, ku do të vlerësohet nga ekspertë të jashtëm për aftësitë dhe etikën e punës”, deklaroi kandidati.
Ai prezantoi tri shtylla kryesore të planit:
1. Profesionalizëm dhe përkushtim në vend të lojalitetit partiak – administratë e pastër nga militantët politikë.
2. Shërbim efektiv për qytetarët në vend të administratës së fryrë – përgjysmim i numrit të punonjësve joaktivë dhe forcim i shërbimeve bazike si pastrimi dhe mirëmbajtja.
3. Punësime transparente dhe të barabarta për të gjithë qytetarët – çdo konkurs publik dhe çdo intervistë për pozita udhëheqëse do të jenë të hapura dhe transparente.
“Vetëm me profesionistë jopartiakë dhe me mjete moderne të digjitalizimit, ne mund ta menaxhojmë komunën me efikasitet, të zgjidhim problemet e akumuluara nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni, dhe të ofrojmë shërbime më të mira me kosto më të ulët. Motoja jonë është e qartë: Ta pastrojmë Gostivarin!”