Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, doli para mediave pas publikimit të rezultateve zgjedhore, duke deklaruar se nuk arriti të fitojë besimin e mjaftueshëm të qytetarëve për të sjellë ndryshimin e dëshiruar.
“Rezultatet e zgjedhjeve dërgojnë një mesazh të qartë dhe shumë të fortë pavarësisht punës të palodhur dhe kontributit të çmuar të përkrahësve dhe vullnetarëve tanë, nuk arrita ti motivoj ata qytetarë që janë të zhgënjyer nga politikat e vjetra dhe që kanë humbur besimin në procesin zgjedhor të marrin pjesë në votim. Në kohën e shkurtër që e kishim nuk munda t’i bindë se ekziston një alternativë e vërtetë ndaj këtyre partive të vjetëra, ndaj atyre që i kanë lodhur dhe i kanë zhgënjyer prej vitesh votuesit dhe qytetarët tanë”, deklaroi Ademi.
Ademi theksoi se, qëllimi i tij, është të krijojë një lëvizje për ndryshim por nuk arriti ta fitoj besimin e tyre dhe t’i bind me vizionin dhe planin e tij. Ai tha se zgjedhësit folën edhe pse ata qëndruan në shtëpi mbeten pa zë, ky është thelbi i demokracisë, votuesi ka gjithmonë të drejtë.
“Shpresoj që fituesi të kuptoj jo vetëm rëndësinë e kësaj fitore, por edhe të dëgjoj zërat e heshtur të atyre që këtë herë zgjodhën të mos votojnë, është e qartë se nevojitet ndryshim dhe qytetarët tanë meritojnë punë të ndershme e përkushtim për një jetë më të mirë për Gostivarin”, shto ai.
Ademi u bëri thirrje qytetarëve që të mos humbin besimin në mundësinë për një politikë më të mirë dhe falënderoi ekipin e tij dhe të gjithë ata që e mbështetën.
“Edhe pse këtë herë nuk arritëm atë sukses që ne e dëshironim ju ftoj ashtu siç bëj edhe vet të mos humbim besimin në mundësinë e një politike më të mirë, dhe të mos të ndalemi së punuari për ndryshim”, përfundoi Ademi.