Ishte dikur qytet i zhurmës, i jetës, i aktiviteteve rinore dhe garave sportive. Por sot, Gostivari është kthyer në një provincë të heshtur, pa rini, pa gjallëri, pa shpresë. Kështu e përshkroi gjendjen aktuale në qytet Visar Ademi, në një reagim emocional dhe të drejtpërdrejtë, që është bërë viral në rrjete sociale.
“Në fëmijërinë time, Gostivari ka qenë përplot jetë. Kishte aktivitete sportive, gara shkollore, ngjarje kulturore. Sot nuk ka asgjë. E vetmja ‘jetë’ që i ka mbetur rinisë është politika dhe partitë politike,” tha Ademi, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e alternativave për të rinjtë.
Sipas tij, shkalla e emigracionit nga Gostivari është alarmante. “Statistikat zyrtare tregojnë se Gostivari është vendi i parë për emigracion në Maqedoni. Kemi humbur afro 40 mijë njerëz – një shifër që do të ishte e madhe edhe për një qytet më të madh, jo më për një qytet si Gostivari me 13 mijë banorë aktualisht,” theksoi ai.
Ademi shprehu shqetësimin se sot më shumë qytetarë të Gostivarit jetojnë në Zvicër, Gjermani, Austri apo Itali, sesa në vetë qytetin.
“Në vend që rinia të jetë bartëse e proceseve, e ndryshimit, e aktiviteteve shoqërore e kulturore, sot ajo është futur në një qorrsokak politik, ku karriera dhe punësimi varen nga lidhjet partiake. Ky realitet duhet të ndryshojë,” përfundoi Ademi.
Apeli i tij ka ndezur debat në opinion, duke rikthyer në vëmendje nevojën për strategji konkrete për të ndalur emigracionin, për të ringjallur jetën kulturore dhe për t’i dhënë rinisë një të ardhme në vendin e vet.
https://www.facebook.com/share/r/17Vfwmg2pQ/