Gostivar, 26 shtator 2025 – Kandidati i pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, gjatë një konference për shtyp të mbajtur pranë parkut të vogël të qytetit, prezantoi gjendjen alarmante të financave komunale, duke e cilësuar situatën si “krizën më të madhe financiare komunale në Maqedoninë e Veriut”.
Sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Gostivarit hyn në zgjedhje me borxhin më të madh në vend:
693 milionë denarë (rreth 11.3 milionë euro) vetëm nga vetë Komuna;
ndërsa së bashku me ndërmarrjet publike komunale, borxhi total arrin në 25 milionë euro.
Ademi publikoi edhe disa kontrata të dyshimta që, sipas tij, kanë rënduar financat e qytetit, mes tyre kontrata për shërbime projektimi me kompaninë SS Arkitekt (190.000 €), dy kontrata me AHR Konstrakshen për sanimin e gropave (380.000 € gjithsej) dhe kontrata me kompaninë Stenton Gradba nga Manastiri për sallën e Këshillit Komunal (615.000 €).
> “Ky keqmenaxhim ka paralizuar zhvillimin e Gostivarit dhe ka dëmtuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Misioni ynë është i qartë: ta pastrojmë Gostivarin nga korrupsioni, nga mbeturinat dhe nga qentë endacakë, dhe t’ia kthejmë qytetin qytetarëve të tij,” – u shpreh Ademi.
Në vijim, ai paraqiti planin e tij për rimëkëmbje financiare dhe transformim të Komunës, që përfshin shlyerje graduale të borxheve, transparencë maksimale, riorganizim institucional, menaxhim profesional të ndërmarrjeve publike dhe digjitalizim të plotë të shërbimeve deri në vitin 2030.
Ademi e mbylli fjalimin me mesazhin:
> “Vizionin tonë e kemi të qartë – një Gostivar i pastër, financiarisht i qëndrueshëm dhe i zhvilluar.”