“Viktimat janë këtu, kërkoju falje” – Osmani rikthen fjalimin e saj në OKB: Drejtësi dhe fakte përballë propagandës serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë në rrjetet sociale videon e fjalimit të saj të mbajtur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në prill të vitit 2024, duke theksuar angazhimin e saj të pandërprerë për mbrojtjen e Kosovës dhe kundërshtimin e propagandës së Serbisë.

“Drejtësi dhe fakte! 5 vite pa ndalë në mbrojtje të Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë!”, ka shkruar Osmani krahas videos së publikuar.

Në këtë seancë të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani ishte e shoqëruar nga katër gra, viktima të luftës në Kosovë: Elhame Muqolli, Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri, të cilat përfaqësonin zërin e mijëra viktimave të krimeve të luftës dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë fjalimit të saj, Osmani hodhi poshtë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe propagandistike.

Ajo u kishte bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që ta vizitojnë Kosovën dhe të shohin nga afër përparimin e saj demokratik.

“Ajo çka deklaroi Vuçiç nuk është e vërtetë. Ju ftoj të gjithëve të vizitoni Kosovën, të shihni vetë përparimin që kemi bërë dhe demokracinë që është në zhvillim e sipër. Mund të vendosni vetë nëse doni t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të tij”, kishte deklaruar Osmani.
Presidentja kishte theksuar se Kosova e sotme është ndërtuar mbi dhimbjen e së kaluarës për shkak të mungesës së drejtësisë, duke nënvizuar se paqja nuk mund të arrihet pa u përballur me të kaluarën. Ajo i bëri thirrje Vuçiqit që, në vend të përhapjes së propagandës, të reflektojë mbi rolin e regjimit të kaluar dhe të kërkojë falje për krimet e kryera.

“Viktimat e atij regjimi janë këtu. Merr pak kohë, kërko falje. Tregoju të gjithëve nëse ke ende një shenjë humaniteti”, kishte thënë Osmani në fjalimin e saj të fuqishëm në OKB./Telegrafi/

https://www.facebook.com/watch/?v=858170500321943

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit