Bllokada me kamionë të trafikut të mallrave në vendkalimet kufitare në vend vazhdon edhe sot, si pjesë e protestës së përbashkët të transportuesve të Maqedonisë nga Ballkani Perëndimor të cilët kërkojnë zgjidhje për problemet për shkak të evidencës elektronike për qëndrim në zonën e Shengenit në pajtim me rregullin 90/180 ditë nga prilli i këtij viti.
Pavarësisht bllokimit të trafikut të mallrave në vendkalimet drejt zonës së Shengenit, i cili, sipas njoftimeve do të zgjasë të paktën shtatë ditë, trafiku i automjeteve funksionon pa ndërprerë.
Shoferët e kamionëve nga vendi dhe kolegët e tyre nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, besojnë se sistemi EES i diskriminon në raport me ata të BE-së dhe kërkojnë t’u ndahet një status i veçantë dhe t’i trajtojë si turistë gjatë hyrjes në bllok.
“Çështja nuk është të ndalojmë aktivitetin tonë ekonomik, por të tregojmë se çfarë mund të ndodhë në një periudhë të caktuar kohore. Kur Turqia dhe vendet e tjera të bashkohen, do të jenë mbi një milion ton mallra në lëvizje ose në pritje, dhe ky duhet të jetë një sinjal i qartë për të gjithë. Por ne nuk mund të mbajmë bllokada për muaj të tërë, as nuk duam të dëmtojmë prodhuesit, tregtarët dhe popullsinë tonë. Nëse nuk gjendet një zgjidhje, do të kërkohen forma të tjera presioni. Nëse Bashkimi Evropian nuk mund ta përballojë një situatë të tillë për një muaj, atëherë është e qartë se këto masa nuk mund të zgjasin më shumë”, tha Biljana Muratovska nga shoqata e transportuesve “Makam-Trans” në ditën e parë të protestës që filloi dje në mesditë.
Ajo kujtoi se kemi nënshkruar marrëveshje dypalëshe me secilin vend në fushën e transportit, të cilat lejojnë aksesin dhe lëvizjen në territorin e tyre.
Ajo gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë justifikim ekonomik për sigurimin e dy shoferëve kur nuk ka automjete të mjaftueshme. “Nuk është ekonomikisht e justifikuar që një shofer të rrijë në shtëpi për tre muaj dhe të marrë një pagë minimale, ndërsa tjetri të punojë. Kjo nuk justifikohet as nga perspektiva e shoferëve dhe as nga perspektiva e transportuesve”, tha Muratovska.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Brendshme Markus Lamert dje tha se KE-ja është e vetëdijshme për brengën që e shprehin operatorët transportues nga Ballkani Perëndimor dhe se me vëmendje e ndjek situatën me bllokadat në vendkalimet kufitare dhe është në kontakt me partnerët nga rajoni.
“Jemi të vetëdijshëm se një numër i madh profesionistësh nga vendet e treta mund të kenë nevojë të qëndrojnë në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Kjo përfshin profesione shumë të lëvizshme, siç janë shoferët e kamionëve, por edhe spoprtistët dhe artistët. Kjo lidhet gjithashtu me rregullat kombëtare dhe marrëveshjet ekzistuese dypalëshe. Kjo është një çështje për të cilën jemi plotësisht të përkushtuar dhe për të cilën po punojmë dhe po reflektojmë në kontekstin e përgatitjeve për Strategjinë e ardhshme të Vizave, të cilën do ta publikojmë këtë javë”, tha Lamert.
Ai përsëriti se Sistemi për hyrje-dalje (EES) nuk vendos kurrfarë rregullore të reja dhe as kërkesa të lidhura me qëndrimin në Zonën e Shengenit, por vetëm siguron zbatim më të mirë të rregullave të qëndrimit dhe zbulimin sistematik të praktikave të parregullta.
“Sipas rregullave të Shengenit, qytetarët e vendeve që nuk kërkojnë vizë për hyrje në BE kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën e Shengenit 90 ditë në periudhën prej 180 ditësh në cilindo shtet. Jashtë kësaj, qëndrimi duhet të mbulohet me vizë ose me aranzhmane kombëtare”, shtoi Lamert.
Sipas tij, është e rëndësishme të theksohet se këto rregulla nuk janë të reja, por kanë qenë në fuqi prej vitesh në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e zonës Shengen dhe se ato tashmë parashikojnë njëfarë fleksibiliteti në lidhje me disa kategori punëtorësh.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski i cili dje në vendkalimin kufitar “Bllacë” dha mbështetje për protestën e transportuesve dhe vlerësoi se ky paralajmërim vjen në kohë dhe tha se shkurti dhe marsi maksimalisht të shfrytëzohen dhe vendet anëtare të zonës së Shengenit të gjejnë zgjidhje.
“Në parim, ekzistojnë tre zgjidhje të mundshme. Zgjidhja e parë është shtyrja e zbatimit të sistemit të ri elektronik për regjistrimin e transportuesve. Zgjidhja e dytë është rritja e numrit të ditëve që transportuesit mund të kalojnë në zonën Shengen – të paktën në 250 ditë, të shpërndara në mënyrë të përshtatshme në cikle, në vend të 90 ditëve aktuale në 180. Zgjidhja e tretë është që shoferët dhe transportuesit profesionistë të mos trajtohen si turistë, por si profesionistë. Kjo mund të rregullohet përmes rregullave të veçanta ose përmes vizave të punës, siç bën aktualisht Zvicra, gjë që do t’u lejonte atyre tranzit të lirë në vendet e zonës Shengen”, tha Nikolloski.
Çdo gjë në kundërshtim me këtë, thotë Nikolloski, do të ketë pasoja serioze – jo vetëm për ekonominë e Maqedonisë dhe atë rajonale por edhe ekonominë evropiane.
Kryetari i Komisionit të Kuvendit për çështje evropiane, Antonio Milloshoski, dje në seancë në prezantimin e prioriteteve të presidencës qipriote, kërkoi nga ambasadori i Qipros për vendin, Andreas Fotiu, ta vendosë në rend dite në Bruksel protestën e shoferëve të kamionëve, të cilët për sot njoftuan bllokadë të kufijve drejt BE-së.
“Ambasador, më 17 dhjetor 2025, komisarja Marta Kos nënshkroi një memorandum për integrim më të shpejtë dhe transport më të shpejtë dhe më të qetë me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe me Moldavinë, Greqinë, Bullgarinë, Italinë. Ky memorandum është në përputhje me politikën e BE-së për planin e rritjes, qëllimi i të cilit është të krijojë, me çdo muaj dhe vit që kalon, një integrim më të madh të tregut të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e tij më të fortë në tregun e BE-së “, tha Miloshoski.
Në pasojat e bllokadës dhe zbatimit të sistemit të ri u shprehën edhe odat ekonomike dhe konfederata e biznesit të Maqedonisë.



