10.8 C
Skopje
Monday, October 13, 2025

Veliaj i dhuron ‘Kullën e Sahatit’ sopranos Ermonela Jaho: Mirënjohës që je imazh i Shqipërisë moderne, që punon

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, pak orë para se ajo të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të performuar për publikun shqiptar.

Duke i dhuruar Kullën e Sahatit të Tiranës, Veliaj tha se ajo kullë mbart simbolikën se është gjithmonë koha për t’u kthyer në shtëpi, si dhe e ftoi artisten të bëhet pjesë e aktiviteteve kulturore që do të kulmojnë vitin e ardhshëm, kur Tirana mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Dua që me këtë simbolikë të vogël të Sahatit, i cili do të të tregojë gjithmonë orën e saktë të Tiranës, t’i thuash vetes se ndoshta është gjithmonë koha për t’u kthyer te zemra jote, të shtëpia jote. Por, edhe për të të kujtuar se vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë”, u shpreh Veliaj.

Ai dha edhe lajmin e mirë për të gjithë dashamirësit e artistes, që nuk kanë mundur të gjejnë bileta për koncertin e saj.

Veliaj njoftoi se në ambientet e jashtme të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrihet një skenë me një ekran të madh dhe vende për t’u ulur, për të përjetuar drejtpërdrejtë emocionet e performancës së Ermonela Jahos.

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit