Vazhdon kaosi me veturat zyrtare: MPB-ja filloi procedurën për regjistrin e ri, nuk ka afat kur do të përfundojë

Në Maqedoninë e Veriut ende mungon një regjistër i përditësuar dhe i plotë me të dhëna për veturat zyrtare. Regjistri ekzistues i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit mbetet i qasshëm për publikun, por nuk i përfshin të gjitha automjetet. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur procesin për krijimin e një regjistri të ri, por pa afat konkret se kur pritet të përfundojë, pasi procedurat janë ende duke vijuar, shkruan Portalb.mk.

 

Në dhjetor 2025 Qeveria e RMV-së njoftoi për Portalb se Ministria e Punëve të Brendshme punon në krijimin e një regjistri qendror të automjeteve, i cili duhej të përfundonte deri në fund të vitit.

 

Megjithatë, kjo nuk ndodhi në këtë afat kohor.

 

Nga Ministria e Punëve të Brendshme për Portalbin bënë të ditur se prokurimi realizohet në përputhje me dispozitat e nenit 53 të Ligjit për Prokurime Publike, dhe procedura zhvillohet në tre faza: parakualifikimi, dialogu dhe dorëzimi i ofertës përfundimtare.

 

“Procedura në Ministrinë e Punëve të Brendshme aktualisht ndodhet në fazën e parë – parakualifikim, dhe ende nuk ka përfunduar. Prandaj, në përputhje me nenin 30, paragrafi 5 të Ligjit për Prokurime Publike, informacionet ende nuk kanë karakter publik”, thanë nga Ministria e Brendshme.

 

Nga aty thonë se zbatimi i plotë i regjistrit të automjeteve duhet të përfundojë më së voni brenda 8 (tetë) muajve nga nënshkrimi i kontratës.

 

Sipas MPB-së, qasje në regjistër duhet të kenë: Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Ministria e Transportit, Ministria e Ekonomisë, Byroja e Metrologjisë, personat juridikë të autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve, personat juridikë të autorizuar për identifikimin dhe vlerësimin e gjendjes teknike të automjeteve dhe/ose makinave mobile, subjektet që prodhojnë dhe/ose vendosin automjete në treg në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shërbimet teknike të autorizuara për miratimin e automjeteve individuale dhe atyre të modifikuara, subjektet e autorizuara për marrjen e automjeteve të shkatërruara, Byroja Kombëtare e Sigurimeve, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, Agjencia e Punësimit, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Administrata Doganore, Regjistri Qendror i RMV-së, Oda e Noterëve dhe Oda e Përmbaruesve.

 

“Qasja në regjistrin e automjeteve përcaktohet sipas dispozitave të Ligjit për Automjete”, thanë nga MPB.

 

Sipas planifikimeve regjistri i automjeteve do të ketë të dhëna të detajuara mbi automjetet, pronarët dhe elemente shtesë.

 

Çfarë tregojnë të dhënat e deritanishme për automjetet zyrtare?

Sipas analizës që Portalb.mk bëri për flotën e automjeteve zyrtare në bazë të të dhënave nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, nga 6659 automjete zyrtare, mbi 15% apo 1009 automjete nuk janë në gjendje të lëvizshme ndërsa 179 automjete janë në gjendje të panjohur.

 

Tre automjetet më të vjetra kanë plot 58 vite dhe i përkasin vitit 1967, sipas të dhënave ende janë në gjendje të vozitshme, dy Mercedesa dhe një FAP.

 

21 automjete janë të vitit 2025 me modele të ndryshme si Shkoda, Ford, Opel dhe të tjera.

 

Marka më e përdorur e automjeteve nga institucionet shtetërore mbetet ‘Peugeot’, me 532 automjete.

 

Sipas të dhënave nga regjistri të viteve të prodhimit të automjeteve zyrtare, viti mesatar i prodhimit del të jetë 2009.

 

Institucioni me numrin më të madh të automjeteve është Ministria e Punëve të Brendshme, me 693 automjete.

 

Megjithatë, numri i automjeteve zyrtare është më i lartë, pasi jo të gjitha janë institucionet apo automjetet të përfshira në këtë regjistër.

 

Nga ana tjetër, ka edhe automjete me status të informatave të klasifikuara, prandaj për ata nuk ka të dhëna

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit