Deponia në Nikushtak u mbyll, ndërsa mbeturinat vazhdojnë të grumbullohen. Banorët kërkojnë kontrolle të rrepta. Ndërkohë Komuna e Likovës thotë se inspektorët dalin vazhdimisht në terren, ndërsa janë shqiptuar edhe gjoba ndaj personave të papërgjegjshëm.
“Edhe pse deponia në Nikushtak u mbyll, problemi me mbeturinat vazhdon akoma. Së fundmi janë paraqitur deponi të vogla përskaj rrugës së fshatrave. Banorët kërkojnë inspektim nga ana institucionale”, raporton Avni Tahiri – Gazetar.
“Duhet të kontrollohen. Inspektorët duhet të dale në terren dhe të mos hidhen gjithandej pasi këto sjellin sëmundje, epidemi”, u shpreh një banor.
”Për ne duhet vetëm dënime, vetëm dënime që të mos hedhin. Duhet inspektime më shpesh dhe dënime”, tha një banor tjetër.
“Komuna duhet të merret me këto punë e jo qytetarët e thjeshtë. Çfarë duhet të ndërmerret nga komuna? Duhet të dislokohen, të largohen. Disa më herët thanë se inspektorët duhet të dalin më shpesh! Jo, nuk besoj që do të ndikoje edhe nëse dalin inspektorët, përsëri do vazhdojnë të hedhin mbeturina”, theksoi një banor.
Nga Komuna e Likovës thonë se pas mbylljes së deponisë, nga inspektorët vazhdimisht kryhen kontrolle ndërsa janë shqiptuar edhe gjoba.
“Në aksin rrugor Nikushtak–Haraçinë nga inspektorët, janë shqiptuar gjoba ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë hedhur mbeturina. Personat e njëjtë obligohen t’i pastrojnë vendet publike ku kanë hedhur mbeturinat; në të kundërtën, do të vazhdohet me procedura të mëtejshme ligjore. Në listën evidentuese figurojnë edhe persona nga Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Haraçinës, të cilët gjatë kalimit në rrugën rajonale Kumanovë–Likovë–Haraçinë hedhin mbeturina, duke ndotur ambientin dhe duke shkaktuar probleme serioze për mjedisin”, njoftojnë nga Komuna e Likovës.
Nga Komuna e Likovës, shtojnë se në bazë të kompetencave ligjore, vazhdojnë me inspektimet e rregullta dhe të jashtëzakonshme në territorin e gjithë Komunës. /Alsat.mk



