Universiteti i Tetovës ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Sam Houston” të shtetit të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli, tha se sapo është kthyer nga SHBA dhe falë këtij bashkëpunimi studentët e UT-së do të mund të fitojnë bursa në këtë universitet, si për studimet themelore, ashtu edhe për studimet e magjistraturës.
“Sapo jemi kthyer nga shteti i Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishim në Universitetin ‘Sam Houston State University’, me të cilin kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Aktualisht jemi në fazën e konkretizimit të bashkëpunimit real dhe po ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për ta konkretizuar, sidomos në dobi të stafit tonë akademik, studentëve dhe stafit administrativ. Tani fokusi është që studentëve tanë t’u jepet mundësi të vazhdojnë qoftë studimet themelore apo të magjistraturës në Universitetin Sam Houston në Teksas”, tha Jusuf Zejneli.






