Numri i viktimave nga tërmeti i javës së kaluar në Mianmar është rritur në rreth 3000, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ushtria e Mianmarit qëlloi një autokolonë kineze me ndihma që po sillte furnizime në zonat e goditura, duke pretenduar se nuk ishte njoftuar më herët që do të kalonte.
Udhëheqësi ushtarak, Min Aung Hlaing, hodhi poshtë thirrjet e grupeve të armatosura rebele për një armëpushim për të lejuar ndihmën.
Tre grupe të armatosura kanë kërkuar një ndalim të përkohshëm të luftimeve, por ushtria, megjithatë, ka vazhduar të bombardojë zonat e goditura nga tërmeti. OKB ka deklaruar se tërmeti ka rënduar akoma më shumë krizën në Mianmar.
Në Tajlandën fqinje, numri i të vdekurve nga tërmeti u rrit në 22 dhe mbi 80 të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa shumë ndërtesa janë dëmtuar rëndë.
Përpjekjet e shpëtimit vazhdojne, por janë zbehur shpresat për të mbijetuar. Qeveria po heton edhe rastin e një pallati 30 katësh i cili u shemb pas goditjes nga tërmeti dhe testet paraprake treguan se standarti i sigurisë ishte i dobët.
Klan News





