Kur Albin Kurti deklaroi se do të ndërtohen dy ura që lidhin Veriun me Jugun, opozita dhe “banalistat” e zakonshëm e quanin propagandë elektorale. Ironizonin, talleshin dhe lëshonin batuta sikur krejt Kosova të ishte skenë humori e jo një vend që ka nevojë për infrastrukturë, integrim dhe zhvillim.
Sot, njëra nga këto ura është pothuajse e përfunduar. Dhe ironia më e madhe për opozitën është se kjo urë po ndërtohet nga një kompani e udhëhequr nga Jahir Dedia – një ish-ushtar i UÇK-së. Një dëshmitar i luftës për liri, që sot kontribuon në paqen dhe zhvillimin e vendit. Kjo është dëshmi që përbuzja që u bëhej planeve të qeverisë Kurti nuk kishte asnjë bazë reale, përveç mllefit dhe frikës nga suksesi i tjetrit.
Por çfarë ndodh tani? Asnjë fjalë nga opozita. Asnjë përmendje, asnjë lavdatë, asnjë reflektim. Se kur projektet realizohen, propaganda u kthehet në bumerang. Kur një urë ndërtohet nga një ish-luftëtar, bie narrativa e “qeverisë anti-UÇK”.
Ky është realiteti: punët po bëhen, lidhjet po forcohen, Kosova po ecë përpara. E opozita, në vend që të japë alternativë, mbetet në rolin e komentuesit të lodhur me statuse pa përmbajtje. Heshtja e tyre është pranim i një dështimi tjetër – dështimit për të pranuar të vërtetën.





