Në Shkup u vendos sot gurthemeli për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, një projekt i madh arsimor që synon të krijojë kushte moderne për studim dhe kërkim shkencor.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e cilësoi këtë moment si historik, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga investimet më të mëdha në arsimin shqip në vend.
Sipas tij, projekti kap vlerën prej rreth 42 milionë eurosh dhe parashikon ndërtimin e një kampusi universitar me standarde moderne, i projektuar për të përmbushur kërkesat e arsimit bashkëkohor dhe të kërkimit shkencor.
“Ky është një moment historik. Me një vlerë prej 42 milionë eurosh, ky projekt është investimi më i madh ndonjëherë në arsimin shqip në Maqedoni dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon. Këtu po ndërtohet një kampus universitar me standardet më moderne”, theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se rëndësia e projektit nuk qëndron vetëm në infrastrukturë, por edhe në rolin që do të ketë për zhvillimin e arsimit dhe të rinisë shqiptare në vend. “Ky kampus do ta shndërrojë Shkupin, përkatësisht Çairin, në një qendër të rëndësishme universitare për shqiptarët. Të rinjtë do të kenë mundësi të studiojnë në një universitet modern në gjuhën e tyre dhe në kushte që i përgatisin për tregun global të dijes dhe të ekonomisë”, deklaroi Mexhiti.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, mes tyre kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.



