11.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

“U nijke zoni i viktimave në qiell t’u i vra, t’u i masakru”- rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin për krime lufte

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Ekrem Bajroviq, për krime lufte kundër popullatës civile në Komunën e Istogut.

Në seancën e së premtes, më 07.06.2024, është dëgjuar dëshmitari Daut Elshani, i cili rrëfeu për tmerrin dhe maltretimet që kishte përjetuar nga forcat serbe. Ai tha se në mesin e tyre ishte edhe i akuzuari Ekrem Bajroviq.

Daut Elshani rrëfeu në gjykim për majin e vitit 1999. Elshani tregoi se forcat serbe i kishin marrë në kolonë dhe të njëjtit ia kishin vrarë 5 anëtarë të familjes.

“Në vitin 1999 ka ndodhë, na kanë pru në kolonë para masakrës ku u bo, aty janë ardhë policia e m’i kanë zbrit 5 anëtarë, Muhejdinin, Nexhmedinin, Abdullahin, Shemsediun dhe Naimin. I kanë afru edhe i kanë shti në atë oborr të Demë Zeqirit, ku edhe i kanë vra” – rrëfeu dëshmitari Daut Elshani.

Tutje dëshmitari shtoi se kishte pritur disa minuta me shpresën se mos po i liroheshin djemtë e tij.

“Kom nejtë 20 minuta përpara djemtë mos po m’i lëshojnë, ka ardhur Banjaci edhe më ka thënë  ik prej këtuhit edhe unë kam dalë për rrugën në Dobrushë, aty ka qenë një derë me dërrasa edhe kam nejtë 40 minuta me rob e me fëmijë në traktor edhe i kam pa duke m’i rrahur paramilitarët meshkujt” – tregoi dëshmitari i prokurorisë.

Në gjykimin për krime lufte ndaj Ekrem Bajroviq, dëshmitari Elshani tregoi se kishte dëgjuar edhe krismat e armëve.

“Kanë krisë me alltia, u nijke zoni i viktimave në qiell t’u i vra, t’u i masakru, nëse nuk është kështu unë po e marr dënimin e këtij” – shtoi Elshani.

I pyetur nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, se a e kishte parë të akuzuarin Ekrem Bajroviq në ditën kritike.

Dëshmitari potencoi se të akuzuarin Ekrem Bajroviq e kishte parë në oborr.

“Ekremi veç u endke, ka qenë brenda në oborr, herë te njoni herë te tjetri, ka qenë edhe Stojkoviqi, ka pasë edhe policë të tjerë po ata s’i kam njoftë. Ekremi nuk ka qenë civil, më duket i kanë pasë teshat e paramilitarëve, i kam pa armë në dorë, ky është bashkëpunëtor i rrahjes edhe i masakrës, nuk du me ia shtu, veç çka kom pa edhe çka kom ni” – tha në dëshminë e tij Daut Elshani.

 

 

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit