12.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Turqia paralajmëron se sulmi i SHBA-së ndaj Iranit rrezikon përshkallëzim global

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka shprehur shqetësim të thellë për sulmin e SHBA-së ndaj centraleve bërthamore të Iranit, si dhe ka paralajmëruar se kjo mund ta përshkallëzojë konfliktin rajonal në një krizë globale, transmeton Anadolu.

“Sulmi i SHBA-së ndaj centraleve bërthamore të Republikës Islamike të Iranit më 22 qershor ka maksimizuar rrezikun që kemi theksuar vazhdimisht, përshkallëzimin e konfliktit dhe destabilizimin e mjedisit të sigurisë”, tha ministria turke.

Ankara tha se është “thellësisht e shqetësuar” për pasojat e mundshme të operacionit që shënjestroi centralet bërthamore të Iranit.

“Këto zhvillime mund ta çojnë mosmarrëveshjen rajonale në një nivel global. Ne nuk duam të shohim të shtrihet një skenar kaq katastrofik”, theksoi ministria turke.

Turqia u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe “të ndalojnë menjëherë sulmet reciproke” për të shmangur viktima dhe shkatërrime të mëtejshme.

“E vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit është përmes negociatave”, theksoi ministria, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mbështesë përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit