Turizmi në Turqi thyen rekorde historike: mbi 65 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2025

Sektori turistik i Turqisë ka shënuar rezultate historike, duke gjeneruar mbi 65 miliardë dollarë amerikanë të ardhura gjatë vitit 2025, një rekord absolut për këtë shtet dhe një nga sukseset më të mëdha ekonomike të viteve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në një konferencë për media në Stamboll nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, Turqia vitin e kaluar ka pritur 64 milionë turistë, që paraqet një rritje prej 2.7% krahasuar me vitin 2024, ndërsa në raport me vitin 2017 rritja arrin në 68%.
Turistët kanë shpenzuar mesatarisht 100 dollarë për natë, që është 3.6% më shumë se një vit më parë dhe plot 36% më shumë krahasuar me vitin 2017. Në total, të ardhurat nga turizmi në vitin 2025 kanë arritur në 65.231 miliardë dollarë, një rritje prej 6.8% krahasuar me vitin 2024 dhe 109% më shumë se në vitin 2017.
“Ky është rekordi më i madh i të gjitha kohërave. Synimi ynë për vitin 2026 është që të arrijmë 68 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, turizmi i Turqisë sot është një forcë jo vetëm rajonale, por edhe globale”, theksoi ministri Ersoy.
Ai kujtoi se në vitin 2017 Turqia renditej në vendin e tetë në botë për numrin e turistëve, ndërsa në vitin 2024 është ngjitur në vendin e katërt, një përparim i jashtëzakonshëm. Edhe në aspektin e të ardhurave nga turizmi, Turqia ka përmirësuar ndjeshëm pozicionin e saj, duke kaluar nga vendi i 15-të në vitin 2017, në vendin e 7-të në vitin 2024 në rang global.
Gjatë vitit të kaluar, rusët kanë qenë turistët më të shumtë, me 6.9 milionë vizitorë, të ndjekur nga gjermanët me 6.75 milionë, ndërsa Britania e Madhe renditet e treta me 4.27 milionë turistë.
Ministri Ersoy theksoi se Turqia sot ka kapacitete të forta dhe përvojë serioze në menaxhimin e krizave. Ai nënvizoi se turizmi turk nuk kufizohet më vetëm në konceptin “det, diell dhe rërë”, i cili tashmë konsiderohet i tejkaluar.
Oferta turistike po zgjerohet gjithnjë e më shumë, duke përfshirë turizëm kulturor dhe fetar, arkeologji, natyrë dhe ekoturizëm, gastronomi, kruiziera, turizëm shëndetësor dhe termal, kongrese dhe panaire, si dhe kohët e fundit edhe turizëm dimëror.
Një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim luajnë platforma “Trashëgimia për të Ardhmen”, projektet e muzeve të natës, si dhe modeli inovativ i promovimit përmes mini-serialeve. Si shembull, vetëm një episod i mini-serialit “Historia e Stambollit” ka arritur 32 milionë shikime në nivel global.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit