Tucker Carlson: Më morën pasaportën në aeroportin izraelit pas intervistës me diplomatin

Podkasteri konservator i Shteteve të Bashkuara, Tucker Carlson, pretendon se autoritetet izraelite i morën për pak kohë pasaportën dhe morën në pyetje një nga anëtarët e ekipit të tij në aeroport, pasi ai zhvilloi një intervistë me ambasadorin amerikan Mike Huckabee.

Carlson është shprehur se menjëherë pas intervistës me diplomatin, zyrtarët izraelitë i konfiskuan pasaportën dhe çuan një nga kolegët e tij në një dhomë marrjeje në pyetje, raporton Al Jazeera.

“Burra që u identifikuan si sigurimi i aeroportit na morën pasaportat, e tërhoqën producentin tonë ekzekutiv në një dhomë dhe më pas kërkuan të dinin se për çfarë folëm me ambasadorin Huckabee”, tha Carlson.

Izraeli i hodhi poshtë këto pretendime.

Oren Marmorstein, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, tha se ish-prezantuesit të Fox News “iu bënë me edukatë disa pyetje rutinë, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen për shumë udhëtarë”.

“Biseda u zhvillua në një dhomë të veçantë brenda sallës VIP vetëm për të mbrojtur privatësinë e tyre dhe për të shmangur zhvillimin e një diskutimi të tillë në publik”, shtoi ai.

Carlson udhëtoi për në Izrael dhe e zhvilloi intervistën në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion pa dalë nga kompleksi përpara se të kthehej në SHBA.

Intervista u organizua pas një debati publik midis dy personazheve rreth një episodi të botuar nga Carlson mbi trajtimin e të krishterëve në Izrael. Huckabee u përgjigj duke e ftuar prezantuesin të shkonte në Izrael dhe të fliste drejtpërdrejt me të.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit