Tryezë bisedimesh dhe su’lme ajrore, Rusia godet Ukrainën edhe gjatë negociatave

Deri sa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar në Abu Dhabi, ku po zhvillohen bisedime të rëndësishme diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë, Rusia ka vazhduar sulmet ajrore, duke bombarduar qytete ukrainase dhe duke shkaktuar viktima civile.

Për herë të parë që nga nisja e pushtimit në shkurt të vitit 2022, Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë ulur në një tryezë të përbashkët negociatash. Bisedimet trepalëshe, të cilat filluan dje dhe vazhdojnë edhe sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, zhvillohen nën presion të madh dhe me pasiguri të thellë për arritjen e një armëpushimi.

Takimi në Abu Dhabi konsiderohet si kontakti diplomatik i nivelit më të lartë mes palëve që nga fillimi i luftës, në një kohë kur Ukraina po përballet me një dimër të vështirë dhe me infrastrukturë energjetike të dëmtuar rëndë nga sulmet ruse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bisedimet po zhvillohen në nivel negociatorësh dhe se ky format po ndodh për herë të parë pas një kohe të gjatë. Nga pala ruse, delegacioni udhëhiqet nga kreu i inteligjencës ushtarake, Admirali Igor Kostyukov, duke sinjalizuar fokus të fortë në aspektet ushtarake të negociatave.

Paralelisht me përpjekjet diplomatike, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet ajrore. Gjatë natës të së premtes, në Kiev u vra të paktën një person dhe u plagosën disa të tjerë, ndërsa autoritetet paralajmëruan për sulme me dronë dhe raketa balistike.

Në Kharkiv, dronë Shahed të prodhuar në Iran goditën zona të banuara dhe institucione shëndetësore, duke plagosur të paktën 19 persona, sipas autoriteteve lokale.

Nga Moska, Kremlini ka përsëritur kërkesën kryesore për përfundimin e luftës: tërheqjen e forcave ukrainase nga rajoni i Donbasit, një kusht që Kievi e konsideron të papranueshëm. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka shkuar edhe më tej, duke përjashtuar çdo zgjidhje që, sipas tij, do të ruante qeverinë aktualen në Ukrainë.

Bisedimet në Abu Dhabi shihen si fillimi i një procesi të gjatë dhe të vështirë negociues, ndërsa realiteti në terren dëshmon se lufta vazhdon me intensitet të pandryshuar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit