Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s të paguajnë pjesën që u takon ose ai mund ta largojë vendin e tij nga aleanca ushtarake.
Sipas presidentit republikan, vendet e Bashkimit Europian dhe Kanadaja nuk po mbajnë përgjegjësinë që u takon në lidhje me buxhetin ushtarak.
“Nëse ata i paguajnë faturat unë mendoj se po na trajton drejt dhe përgjigjja është që absolutisht do të jemi me NATO-n. Por nëse jo, absolutisht, absolutisht,” deklaroi z. Trump në një intervistë për rrjetin NBC, duke iu referuar tërheqjes nga Traktati i Atlantikut Verior.
Presidenti i zgjedhur amerikan gjithashtu i bëri thirrje Vladimir Putinit që të arrijë armëpushim të menjëhershëm me Ukrainën, për ta ndalur luftën gati trevjeçare në Europë.
Gjatë intervistës, z. Trump tha se SHBA-ja mund të pakësojë ndihmat ushtarake për Ukrainën.