Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot ju bëri thirrje të gjithë atyre të cilët nuk janë të kënaqur me pagën të marrin pjesë në protestën e nesërme të organizuar kundër mosrritjes së pagës minimale në 600 euro dhe të të gjitha pagave të tjera për 100 euro.
Argumente ka shumë, justifikime nuk ka, 200 mijë njerëz jetojnë me pagë nën 30.000 denarë, deklaroi sot kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
“Nuk keni nevojë të keni frikë nga askush, sepse nuk i keni borxh askujt asgjë. Familjeve tuaja u keni borxh vetëm një jetë të mirë. Ju bëj thirrje të gjithëve juve – sindikalistëve, punëtorëve dhe pensionistëve që merrni pension nga kontributet e punëtorëve – të na bashkoheni sepse vetëm në janar jeni më të varfër me një mijë denarë. Të tjerët na numërojnë dhe mendojnë se nëse nuk vini, po u jepni mbështetje të madhe që të mos ju rrisin pagën sepse mendojnë se jetoni mirë dhe se flisni vetëm për gjëra të bukura”, tha Trendafillov në konferencë për media.
Protesta e nesërme, siç theksoi, është për shkak të statusit injorues të Qeverisë dhe të punëdhënësve të cilët nuk u morën vesh për rritjen e të gjitha pagave për 100 euro përmes rritjes së pagës minimale në të paktën 600 euro.
“28 janari është dita kur punëtorët flasin. Sa me zë të lartë do të flasin varet nga ju. Nesër prania juaj në rrugë do të flasë me zë më të lartë se çdo diskutim që keni pasur në familjet dhe vendet tuaja të punës. Kjo protestë është për pagat tuaja sepse ato nuk arrijnë nga data 1 deri në datën 1. Kjo protestë është kundër padrejtësisë sepse ata marrin 10 herë më shumë paga se ju. Kjo protestë është sepse ata sigurojnë për veten e tyre rritje prej 250 eurosh në pagat e tyre, ndërsa për ju as 25 euro”, tha Trendafillov.
Nga LSM paralajmërojnë se ditën e ardhshme pas përfundimit të protestës do të dalin me informacione dhe dëshmi për institucionet në të cilat bëhet presion ndaj punëdhënësve që të mos përfshihen në protestë.
Për qëndrimin e Konfederatës së Sindikatave të Lira rreth rritjes së pagave, Trendafillov me porosi se vetëm sindikatat e vërteta luftojnë dhe i mbështesin punëdhënësit në luftën për të drejtat e tyre.
“Ne po luftojmë për rritje prej 6.000 denarë të pagave të anëtarëve të KLS-së, e cila nuk dëshiron të luftojë për rritje të pagave, ndërsa kryetari i saj po bën deklarata se pagat e zyrtarëve janë rritur pak dhe se ato duhet të rriten edhe më shumë. Ata po luftojnë për zyrtarët, ndërsa ne po luftojmë për punëtorët. Dallimi është i madh”, tha Trendafillov.
Në lidhje me deklaratën e kryetarit të Konfederatës së biznesit, Mile Boshkov se sektori privat nuk mund ta përballojë rritjen e pagës minimale, Trendafillovi me përgjigje se të dhënat zyrtare për fitimet e realizuara i mohojnë të gjitha justifikimet e sektorit të biznesit.
“Është tragjike që ata iu nënshtruan presionit të Qeverisë për të mos bllokuar biznesin e tyre. Është tragjike që Qeveria, duke refuzuar të subvencionojë kontributet e punëtorëve për një periudhë prej 12 muajsh siç kërkoi sektori i biznesit, sot është 10 milionë euro më pak se buxheti”, tha Trendafillov.
Protesta fillon nesër në orën 17 para ndërtesës së LSM-së dhe vazhdon para Kuvendit dhe Odës Ekonomike që të përfundojë para Qeverisë.
Nëse nuk ka përgjigje nga pala tjetër, LSM njofton bllokada të institucioneve të synuara, organizimin e një greve të përgjithshme dhe mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve që do të kërkojnë ndryshime ligjore për të ulur pagat e funksionarëve me 80 për qind dhe për të rritur të gjitha pagat duke rritur pagën minimale në të paktën 600 euro.



