10.8 C
Skopje
Sunday, November 9, 2025

Transportuesit privatë janë ende në pritje të shlyerjes së borxhit

Disa linje private të transportit publik të Shkupit vazhdojnë të mos kryejnë shërbime për qytetarët për shkak të mospagesës nga ana e NQP-së. Sipas informatave tona, që nga muaji qershor nuk është shlyer borxhi ndaj tyre ndërsa presin që pasi të bëhet pagesa të rikthehen në rrugë. Qytetarët edhe sot u përballën me mungesë të autobusëve nëpër stacione.

Sipas transportuesve privatë, shtesa e pagesës për 20 denarë për kilometër është e pranueshme edhe pse kërkesa e tyre ka qenë 30 denarë shtesë apo 100 denarë për kilometër.

Në seancën e një dite më parë të Këshillit të Qytetit të Shkupit u miratua vendimi për rritjen e çmimit për kilometër për transportuesit privatë. Këshilltarët pranuan propozimet për korrigjimin e çmimit, i cili nuk ishte rishikuar që nga viti 2015.

“Propozimin për ndryshimin e vendimit për përcaktimin e vlerës së kompensimit për shërbimet e kryera në transportin e udhëtarëve sipas kriterit për kilometrat e kaluara, e hodha në votim. 28 kanë votuar pro. Kundër nuk ka. Të përmbajtur një. Konstatoj që vendimi është marrë”, deklaroi Trajko Sllaveski – Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Kjo rritje është rezultat i protestave intensive të transportuesve privatë, të cilët së fundmi ndërprenë qarkullimin dhe kërkuan korrigjim të pagesës për kilometër. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit