Transportuesit nga Ballkani Perëndimor do të presin deri më 1 shtator për të parë vendimin e Bashkimit Evropian lidhur me problemin me rregullat e qëndrimit në zonën Shengen. Nëse zgjidhja e propozuar konsiderohet e papranueshme, transportuesit paralajmërojnë protesta dhe bllokime të pikave kufitare.
Ky është përfundimi i takimit të sotëm të grupit punues, ku morën pjesë përfaqësues të sektorit të transportit nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Biljana Muratovska nga MAKAM Trans tha se pas protestës së zhvilluar në janar, transportuesit kishin marrë një premtim nga BE-ja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullave të vizave, por sipas saj, kjo ende nuk është realizuar.
“Pranojnë se jemi profesionistë, se nuk jemi migrantë dhe nuk jemi kriminelë, ndërsa më tej vazhdojnë të na i llogarisin ditët. Kjo është diskriminim, sepse përballemi me pengesa”, deklaroi Muratovska.
Përfaqësuesi i Serbisë, Nexho Mandiq, tha se qëndrimi i shoferëve në vendet e zonës Shengen nuk duhet të llogaritet vetëm në ditë, por edhe në orë. Sipas tij, nuk është e arsyeshme që një qëndrim prej vetëm disa minutash të llogaritet si një ditë e plotë.
Mandiq theksoi se një pjesë e transportuesve tashmë hezitojnë të udhëtojnë drejt vendeve të Shengenit për shkak të frikës nga deportimi dhe gjobat.






