Transparency International: Kosova kthehet pas në betejën kundër korrupsionit

Transparency International ka publikuarIndeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, ku Kosova është vlerësuar me 43 pikë, duke u renditur në vendin e 76-të.

Me 43 pikë për këtë vit, Kosova ka shënuar rënie për një pikë krahasuar me vitin e kaluar ku kishte 44, apo tri pozita më poshtë (vendi i 73-të).

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 tregon se korrupsioni mbetet një kërcënim serioz në çdo pjesë të botës, megjithëse ka shenja të kufizuara përparimi.

Në njoftim thuhet se udhëheqësit duhet të veprojnë për të luftuar abuzimet me pushtetin dhe faktorët më të gjerë që po e nxisin këtë përkeqësim, siç janë dobësimi i mekanizmave demokratikë të kontrollit dhe balancës, si dhe sulmet ndaj shoqërisë civile të pavarur.

Protestat kundër qeverive në shumë pjesë të botës tregojnë se njerëzit janë të lodhur nga udhëheqja e papërgjegjshme dhe po kërkojnë reforma.

CPI rendit 182 shtete dhe territore në mbarë botën sipas nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Rezultatet jepen në një shkallë nga 0 (shumë i korruptuar) deri në 100 (shumë i pastër).

Ndërsa 31 shtete kanë ulur ndjeshëm nivelet e korrupsionit që nga viti 2012, pjesa tjetër po dështon ta trajtojë problemin – kanë mbetur në vend ose janë përkeqësuar gjatë së njëjtës periudhë.

Mesatarja globale ka rënë në një nivel të ri më të ulët prej 42, ndërsa më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë më pak se 50 pikë.

“Dhe çmimin po e paguajnë njerëzit, pasi korrupsioni çon në spitale të pafinancuara, mbrojtje nga përmbytjet të papërfunduara dhe shkatërron shpresat dhe ëndrrat e të rinjve”, thuhet tutje.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit