Tragjedia në Shkup, reagon familja: Shteti dështoi, papërgjegjësia mori motrën dhe mbesën

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur sot në Shkup, ku kanë humbur jetën një grua dhe vajza e saj gjashtëvjeçare. Familjarët e viktimave pretendojnë se rasti është paraprirë nga denoncime të shumta për dhunë në familje, ndaj akuzojnë institucionet për mosreagim.

Vëllai i gruas së ndjerë, njëherësh daja i vajzës, Aleksandar Stojanoski, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale deklaroi se familja prej vitesh kishte raportuar dhunë fizike dhe psikologjike, kërcënime dhe incidente të tjera serioze, por sipas tij institucionet nuk kanë ndërmarrë masa adekuate.

“Edhe pse është shumë e vështirë për mua, dua të flas në emër të familjes sime. Sot ndodhi një vrasje. Sot dështoi policia, shërbimet sociale dhe i gjithë sistemi ynë. Pas viteve të raportimeve për dhunë dhe kërcënime, ne humbëm motrën dhe mbesën tonë”, shkruan ai, duke kërkuar që rasti të mos kalojë pa përgjegjësi dhe që drejtësia të zbatohet deri në fund.

Sipas tij, viktima kishte planifikuar që edhe sot të paraqitej në institucionet sociale për çështjet e lidhura me dhunën që kishte raportuar më herët.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Taftaliçe të Shkupit, ku gruaja është gjetur e vdekur së bashku me vajzën e saj. Policia ka kryer hetime në vendngjarje deri në orët e vona të mbrëmjes.

Mediat sot kanë kërkuar informacione zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut nëse më parë janë regjistruar denoncime për dhunë familjare, por deri tani nuk ka përgjigje, pasi zyrtarët kanë qenë në terren. Po ashtu, deri në momentin e publikimit nuk ka reagim as nga Prokuroria Publike e Shkupit, ndërsa prokurorja kompetente ka qenë në vendin e ngjarjes.

Ja letra e plotë e vëllait:

“Edhe pse e kam shumë të vështirë, dua të drejtohem në emër të familjes sime – sot ndodhi një vrasje.

Sot dështoi Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, dështuan shërbimet sociale, sot dështoi i gjithë sistemi ynë. Pas viteve të raportimeve për dhunë në familje – dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dyjave, kërcënimeve, denoncimeve dhe madje një tentative për vrasje brenda një institucioni shtetëror – humba mbesën dhe motrën time.

Shteti lejoi që të shuhen jetë të reja. Ju lutem mos spekuloni për atë që ka ndodhur. Askush nuk mund të m’i kthejë më të dashurit e mi, por drejtësia duhet të shkojë deri në fund dhe ne nuk do të ndalemi derisa kjo të ndodhë.

Pavarësisht të gjitha denoncimeve dhe ngjarjeve të mëparshme, institucionet nuk vepruan deri më tani. Kërkoj fokus nga publiku dhe mediat për këtë rast. Nuk do të lejojmë që kjo të kalojë vetëm si një numër – drejtësia duhet të arrijë çdo përgjegjës.

Sot motra ime duhej të shkonte sërish në qendrën sociale për këto çështje, ndërsa me mbesën u dëgjova për festën e Proçkës. Ajo më tha: ‘Dajë, më fal nëse të kam bërë ndonjë gabim’. Mbesa ime, më fal ti mua… fal edhe këto institucione të paafta. Unë, si dajë, nuk do të fal kurrë dhe nuk do të harroj.

Shpërndajeni këtë, që të mos harrohet dhe të mos humbasë në sistemin tonë”.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit