Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, sot në ambientet e MPB-së zhvilloi një takim bilateral me ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe për hapa konkretë në menaxhimin e kufijve.
“Sot në MPB pata një takim bilateral me ministren e Brendshme të Shqipërisë, Albana Koçiu, ku biseduam për hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit mes dy ministrive”, ka deklaruar Toshkovski.
Ai theksoi se fokusi i përbashkët është përshpejtimi i kalimit kufitar, koordinimi më i mirë institucional dhe lufta e përbashkët kundër krimit ndërkufitar dhe migrimit ilegal.
“Fokusi ynë është i qartë: kalim më i shpejtë i kufijve, koordinim më i mirë dhe një luftë më e fuqishme kundër krimit ndërkufitar dhe migrimit ilegal”, u shpreh ministri.
Sipas Toshkovskit, deri në fillim të sezonit veror pritet të zbatohet sistemi One Stop edhe me Shqipërinë, sipas modelit tashmë funksional me Kosovën dhe Serbinë, çka do të ulë ndjeshëm kohën e pritjes në pikat kufitare.
Në kuadër të takimit u diskutua edhe mundësia që pika kufitare Xhepisht – Trebisht në të ardhmen të funksionojë 24 orë në ditë gjatë gjithë vitit.
“Kjo do të nënkuptojë komunikim më të lehtë, më shumë shërbime dhe lidhje më të madhe mes qytetarëve në të dy anët e kufirit”, theksoi Toshkovski.
Gjithashtu, palët zhvilluan një takim të nivelit të lartë për krijimin e një Qendre të Përbashkët Kontakti për bashkëpunim policor dhe doganor, si mekanizëm i ri për shkëmbim më të shpejtë të informacionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe një luftë më efikase kundër migrimit ilegal, krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera të sigurisë.
“Vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie të bazuara në besim, partneritet dhe përgjegjësi të përbashkët për sigurinë e qytetarëve tanë dhe stabilitetin e rajonit”, përfundoi ministri Toshkovski.



