Sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme u realizua dorëzimi i pajisjeve për hetime më efikase në vendin e ngjarjes, veçanërisht në krimet që përfshijnë armë. Pajisjet do të përdoren kryesisht nga Departamenti për Ekzaminime Forenzike dhe njësi të hetimit në vendin e ngjarjes në sektorët e punëve të brendshme në të gjithë shtetin.
Pajisjet janë dhuruar në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të sistemit për forenzikë dhe hetim në vendin e ngjarjes për përmirësimin e kontrollit të drejtësisë penale ndaj armëve të vogla dhe të lehta”, i cili po zbatohet nga UNDP në kuadër të Rrugëudhëzuesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor, i cili është nënshkruar nga Maqedonia. Donatori i këtij projekti është Fondi Multilateral i Besimit i Kombeve të Bashkuara për Armët e Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, me mbështetje nga Bashkimi Evropian.
Pajisjet, me një vlerë totale mbi 200,000 dollarë amerikanë, përfshijnë valixhe universale dhe të specializuara për hetim në vendin e ngjarjes, kamera fotografike, si dhe kompjuterë dhe pajisje të tjera harduerike që do të përdoren për analizën e vendeve të ngjarjes, pra të krimit. Forenzika dhe hetimi në vendin e ngjarjes luajnë një rol kyç në sistemin e drejtësisë penale për rastet që përfshijnë armë zjarri. Përmes analizës balistike, gjurmëve dhe shtypjeve të gishta, forenzikët dhe ekipet e hetimit të cilët punojnë në këto njësi sigurojnë prova të rëndësishme për të ndihmuar në zgjidhjen e krimeve dhe parandalimin e dhunës potenciale në të ardhmen. Qëllimi është identifikimi efikas i autorëve dhe ndëshkimi i tyre, për të siguruar një përgjigje më të mirë penale ndaj abuzimit me armët e zjarrit, thonë autoritetet kompetente.
Pjesë e pajisjeve të dhuruara do të përdoren gjithashtu për pajisjen e hapësirave të reja për simulim hetimesh në vendin e ngjarjes, të cilat UNDP i zhvillon në Qendrën e Trajnimit të MPB-së në Idrizovë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Panče Toshkovski, theksoi se “Implementimi i këtij projekti ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke konfirmuar angazhimin tonë për arritjen e qëllimeve të Rrugëudhëzuesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, dhe veçanërisht për miratimin e kuadrit ligjor për kontrollin e armëve që do të jetë plotësisht në përputhje me kuadrin rregullator të BE-së dhe të standardizuar në rajon, duke reduktuar ndjeshëm rrjedhën e paligjshme të armëve të zjarrit, municionit dhe eksplozivëve, si brenda Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe më gjerë, dhe sigurisht përmes forcimit të ndërgjegjësimit dhe aktiviteteve edukative për një kontroll më efikas të armëve të vogla dhe të lehta dhe parandalimin e tregtisë së paligjshme me armë.”
Përfaqësuesi i Përhershëm i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Armen Grigoryan, u ndal në bashkëpunimin e gjatë me Ministrinë e Punëve të Brendshme në luftën kundër mbajtjes, keqpërdorimit dhe përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta në shtet. “Si rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta, siguruam pajisje të specializuara për hetim, organizuam trajnime të certifikuara për oficerët e policisë dhe zhvilluam softuer për mbledhjen dhe analizën e të dhënave. Kjo ka sjellë përmirësim të dukshëm në hetimet dhe masat parandaluese që synojnë forcimin e sigurisë së qytetarëve. Sot po shënojmë një hap të ri në bashkëpunimin e suksesshëm me Departamentin për Ekzaminime Forenzike dhe njësi për hetime në vendin e ngjarjes në të gjithë shtetin. Por, nuk do të ndalemi këtu. UNDP po finalizon adaptimin dhe pajisjen e laboratorit balistik, i cili do të shërbejë për ekzaminimin e armëve të zjarrit dhe municionit në procesin penal. Pasojnë trajnime për ndjeshmëri gjinore, si dhe përmirësim të modulit të regjistrimit të incidenteve të policisë, dokumenteve dhe aktiviteteve, të zhvilluar më parë nga UNDP, me funksionalitete të reja për regjistrimin e rasteve të dhunës gjinore dhe dhunës familjare”, tha Grigoryan.
Aktivitete dhe dhurata të parashikuara janë pjesë e projektit “Forcimi i kapaciteteve të sistemit për forenzikë dhe hetim në vendin e ngjarjes për përmirësimin e kontrollit të drejtësisë penale ndaj armëve të vogla dhe të lehta” dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e kapaciteteve balistike dhe aktiviteteve operative të Departamentit për Ekzaminime Forenzike në MPB dhe në forcimin e kapaciteteve analitike, teknike dhe hetimore të njësi të hetimit në vendin e ngjarjes në të gjithë vendin.