Toshkovski – Hani: Forcim i mekanizmave antikorrupsion dhe avancim i bashkëpunimit rajonal

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, realizoi sot një takim pune me drejtorin e Sekretariatit të Iniciativës Rajonale Antikorrupsion (RAI), Albert Hani, në të cilin u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale për parandalimin e korrupsionit.

Në fokus të bisedimeve ishin trajnimet për hartimin e Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut nga Korrupsioni dhe kontrolli antikorrupsion i legjislacionit në fushën e punëve të brendshme, me ç’rast u theksua roli aktiv i Maqedonisë si nënshkruese e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Shkëmbimin e të Dhënave për Kontrollin e Deklaratave të Pasurisë. Në takim u nënvizua se shteti ynë përfaqëson një shembull udhëheqës dhe pikë reference për vendet që ende nuk i janë bashkuar këtij mekanizmi.

Ministri Toshkovski potencoi rëndësinë e qasjes sistemore në detektimin dhe reduktimin e rreziqeve nga korrupsioni në sektorin e sigurisë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave.

“Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet tona kryesore. Përmes forcimit të integritetit të institucioneve, avancimit të kornizës ligjore dhe përdorimit të mekanizmave modernë për vlerësimin e rreziqeve, po krijojmë një sistem në të cilin korrupsioni bëhet gjithnjë e më i vështirë, më i shtrenjtë dhe i papagueshëm. Mbështetja dhe ekspertiza e RAI-t në këtë proces kanë një rol të rëndësishëm, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme mbetet fuqishëm e përkushtuar në zhvillimin e politikave efikase dhe të qëndrueshme antikorrupsion”, theksoi ministri Toshkovski.

Në takim u shqyrtuan edhe mundësi konkrete për bashkëpunim të ardhshëm përmes aktiviteteve të përbashkëta, trajnimeve dhe projekteve të synuara drejt forcimit të mekanizmave parandalues dhe ndëshkues në përballjen me korrupsionin./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit