Tish Daija, mjeshtri i madh i muzikës shqiptare

Më 30 janar të vititi 1926 lindi Tish Daija (1926-2003), kompozitor, Artist i Popullit, akademik, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Tish Daija lindi në Shkodër. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan, më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956). Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980).

Fillimet kompozicionale i pati me disa këngë me stil popullor (“Çike, o mori çike”, “Me lule t’bukra” etj.) të cilat ndikoheshin nga muzika qytetare shkodrane. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 krijimtaria e tij njohu zhvillime të mirëfillta profesioniste me vepra instrumentale dhe orkestrale, si Kuarteti i parë i harqeve (1955) dhe Suita orkestrale “Një ditë pikniku” (1955). Me operetën “Lejlaja” (1957) dhe operën “Pranvera” (1960) renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike; me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar.

Tish Daija kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, madje edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën me këngët “Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.

Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës./atsh/KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit