Tim Qorraj çel zyrtarisht fushatën për Asamblenë e Shtetit të New York-ut

Kandidati për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut në Distriktin 64, Shpëtim (Tim) Qorraj, ka çelur zyrtarisht fushatën e tij elektorale me një takim prezantues të mbajtur në Staten Island, pranë komunitetit shqiptar. Takimi u zhvillua në ambientet e “Cielo”, në Hylan Boulevard, ku morën pjesë anëtarë të komunitetit, përfaqësues lokalë dhe mbështetës. Qorraj prezantoi vizionin dhe prioritetet e tij, duke theksuar nevojën për përfaqësim më aktiv për zonat East Shore të Staten Island dhe Bay Ridge në Brooklyn, të cilat, sipas tij, janë lënë prej vitesh jashtë vëmendjes institucionale. Ai theksoi se çështje si siguria publike, transporti, arsimi dhe mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore kërkojnë angazhim më të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit lokalë. Duke u prezantuar si banor i South Beach, sipërmarrës i një biznesi të vogël, bashkëshort dhe baba, Qorraj tha se kandidon për një Nju Jork më të përballueshëm, me mbështetje për familjet, pensione dinjitoze për të moshuarit dhe më shumë mundësi për të rinjtë. “Kjo fushatë ka të bëjë me vendosjen e komunitetit në radhë të parë dhe ndërtimin e një Distrikti 64 më të sigurt dhe më të fortë,” deklaroi Qorraj, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve. Kush është Shpëtim (Tim) Qorraj I lindur në Kosovë, Qorraj u vendos në SHBA në vitin 2011 dhe jeton në Staten Island. Ai është sipërmarrës dhe aktivist komunitar, themelues i organizatave jofitimprurëse në mbështetje të familjeve emigrante. Qorraj është pronar i “Skyler Services Group LLC” dhe ka përfunduar studime Master në të Drejtën Penale. Si prind i dy fëmijëve dhe anëtar aktiv i PTA-së, ai është një mbështetës i fortë i arsimit publik dhe i forcimit të komuniteteve lokale.(Beqir SINA/INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit