9.8 C
Skopje
Friday, December 5, 2025

Thesari i Habsburgëve rizbulohet pas 100 vitesh në Kanada: Mes tij edhe “Fiorentino”, diamanti 137 karatësh

as më shumë se një shekulli mister, është zbuluar se “Fiorentino”, një nga diamantet më të mëdha dhe më të famshme në botë, nuk ishte humbur kurrë. Sipas revistës gjermane Der Spiegel, thesaret e Habsburgëve, përfshirë edhe diamantin legjendar prej 137 karatësh, ndodhen të ruajtura në një kasafortë në Kanada.

Historia e tyre fillon në vitin 1918, kur perandori i fundit i dinastisë, Karl I, në ditët e fundit të Perandorisë Austro-Hungareze, urdhëroi që pasuritë e kurorës të dërgoheshin me nxitim nga pallati Hofburg i Vjenës në Zvicër. Mes tyre ndodheshin kurora e famshme e Sisit dhe diamanti “Fiorentino”, i madh sa një arrë.

Tre vjet më vonë, pas dështimit të Karlit I për të rikthyer fronin në Hungari, diamanti u zhduk pa gjurmë. U përfol se ishte copëtuar, shitur apo humbur përgjithmonë. Por, siç rezulton tani, “Fiorentino” kishte qenë gjatë gjithë kohës në duart e familjes perandorake.

Sipas rrëfimit të nipit të Karlit, Karl Habsburg, perandoresha Zita e kishte mbajtur të fshehur diamantin në një valixhe të vogël ngjyrë kafe dhe e kishte marrë me vete gjatë mërgimit që e çoi deri në Kanada. “Në teori, nuk ishte zhdukur kurrë. Por shumë pak veta e dinin ku ndodhej”, ka thënë ai për Der Spiegel.

Sekreti ishte ruajtur për më shumë se 100 vjet. Vetëm dy kushërinj të Habsburgëve e njihnin vendndodhjen e kasafortës dhe e zbuluan atë pas vdekjes së fundit të familjes perandorake, në vitin 2022.

Diamanti “Fiorentino” ka një histori të gjatë e të lavdishme: besohet se dikur i përkiste Karlit të Temerarit, më pas familjes Medici dhe përfundoi në koleksionin e Hapsburgëve pas martesës së Francesko Stefanit të Lorenës me perandoresha Maria Tereza të Austrisë. Thuhet se Maria Luiza e mori dhuratë kur u martua me Napoleonin.

Karl Habsburg ka shprehur dëshirën që diamanti të ekspozohet në një muze në Kanada, si shenjë mirënjohjeje ndaj vendit që “strehoi gjyshen time”, ka thënë ai. Por familja Habsburg ka ende frikë nga një mundësi e re sekuestrimi, pasi pas rënies së perandorisë, pasuritë e tyre u shtetëzuan dhe Austria, në teori, nuk ka hequr dorë nga pretendimet mbi to.

Mister mbetet edhe fati i pjesës tjetër të bizhuterive të shpëtuara nga perandoresha Zita. Sipas dokumenteve të fundit, kurora e Sisit është parë për herë të fundit në vitin 1925, në kokën e një këshilltari të dehur të oborrit perandorak – dhe që nga ajo ditë, nuk është parë më kurrë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit