Zëvendëskryeministri me prejardhje serbe, njëherazi edhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në RMV, Ivan Stoilkoviq, e ka tërhequr kumtesën ku Republikës së Kosovës i drejtohej me qasjen serbe, si “Kosova dhe Metohija”, e cila është në kundërshtim me Shkupin zyrtar, që e njeh pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008, shkruan Portalb.mk.
Zëvendëskryeministri Stoilkoviq fillimisht ishte zotuar se do të përmirësojë komunikimin zyrtar në raport me Kosovën, edhe pse personalisht për të mbetet termi “Kosova dhe Metohija”.
Megjithatë, siç vërehet nga dita e djeshme, nga gjurmët në ueb-faqen zyrtare të ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive shohim se kumtesa nuk është edituar, por është larguar e tëra, konkretisht nuk ka qasje në linkun ku figuronte ky njoftim.
Nga zyra e zëvendëskryeministrit për redaksinë e Portalb.mk nuk kanë sqaruar asgjë për këtë veprim, pavarësisht se i kemi kontaktuar disa herë.





