10.8 C
Skopje
Monday, December 1, 2025

Tetovë e Çair në zi: Fakulteti i Arteve muzikore nderon Shpat Kasapin me heshtje

Gazetare: Melihate Rustemi

Në Fakultetin e Arteve Muzikore të Universitetit të Tetovës, ligjëratat nisën me një minutë heshtje në nderim të artistit Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetën pak ditë më parë. Studentë dhe profesorë u mblodhën për të kujtuar kolegun e tyre, duke shprehur dhimbje dhe respekt për figurën e tij si njeri dhe si artist.

“Shpati nuk ishte vetëm një emër që e njihnin të gjithë, ai ishte një shpirt i butë, një mik i sinqertë, një djalë me zemër të madhe dhe buzëqeshje që i jepte dritë çdo vendi ku shkonte. Shpati nuk ishte vetëm një njeri i mirë, por edhe një artist që dinte t’i prekte zemrat e njerëzve. Le të lutemi që shpirti i tij të gjejë paqe, dhe ne të gjejmë forcë tek kujtimet që na la. Sepse njeriu largohet nga kjo botë vetëm fizikisht por mbetet i gjallë në zemrat e atyre që e deshën”, tha Bajramali Idrizi, FAM.

Përveç Tetovës edhe Komuna e Çairit e shpalli ditë zie ditën e hënë, 1 dhjetor si shenjë respekti dhe pikëllimi për humbjen e Shpat Kasapit. Vendimi u miratua në mbledhjen e 4-t të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit.

Në njoftimin e Komunës thuhet se Shpat Kasapi ka qenë një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare, dhe se humbja e tij ka prekur thellë komunitetin e Çairit.

Për të nderuar Shpat Kasapin, Komuna e Çairit për nesër ka organizuar mbledhje komemorative që do të mbahet në orën 13:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup. Libri i ngushëllimeve do të qëndrojë i hapur nga e marta deri të premten për të gjithë ata që dëshirojnë të lënë mesazhin e tyre./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit