14.8 C
Skopje
Saturday, October 11, 2025

Bilall Kasami: E gjetëm Tetovën në kolaps, sot i kemi kthyer dinjitetin

Në një atmosferë elektrizuese, me sallën plot e qytetarët në këmbë, kryetari aktual i Tetovës dhe kandidati i koalicionit opozitar për një mandat të dytë, Bilall Kasami, zhvilloi tubimin promovues në qytetin që, siç tha ai, “u kthye nga kolapsi në shembull të ringritjes”.

“Kështu duket kur flet populli – sallat janë të vogla për t’iu përgjigjur atyre që ofendojnë shqiptarët,” tha Kasami në hapje të fjalimit, duke iu referuar sulmeve politike të partive ne opozitë.

Kasami kujtoi fillimet, kur në vitin 2016, me një ekip të ri dhe energji të re, kishte shpallur se kishte ardhur koha që rinia shqiptare ta marrë fatin në duart e veta.

“Shumëkush nuk na besoi atëherë. Por ja ku jemi sot: e mposhtëm një sistem të kalbur dhe të korruptuar, një pjesë e atyre njerëzve sot janë në arrati, të tjerë ndiejnë se po u shkruhet i njëjti fat,” u shpreh ai.

Duke kritikuar drejtëpërdrejt  ata që kanë drejtuar me komunën para tij, Kasami tha se kur mori drejtimin e Tetovës, gjeti një qytet në gjendje të rëndë dhe një komunë të zhytur në borxhe.

“Gjeta një komunë me 24 milionë euro borxh. Sot, në fund të mandatit, dal ballëlartë në çdo lagje të Tetovës. Ne punuam dhe paguam – dhe e kthyem shkëlqimin e qytetit,” deklaroi ai.

Kasami theksoi se ndryshimi në Tetovë nuk është vetëm simbolik, por konkret dhe i dukshëm në çdo sektor.

“Nuk ka lagje që nuk ka ndjerë përmirësim. Nuk ka shërbim që nuk është reformuar. Tetova është një qytet tjetër sot – më e pastër, më e organizuar dhe më e besuar,” shtoi ai.

Në fund të fjalimit, kandidati i VLEN-it për Tetovën përsëriti zotimin për të çuar përpara projektet zhvillimore, duke e parë këtë mandat të dytë si vazhdim i një vizioni të qartë për të ardhmen.

“Sikurse çliruam pushtetin qendror, ashtu do t’i çlirojmë edhe komunat. Jemi të vendosur ta çojmë këtë betejë deri në fund – me ju dhe për ju.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit