24.8 C
Skopje
Tuesday, September 23, 2025

Tenderi i uniformave ndez debat! VLEN e MPB premtojnë respektim të ligjit

Tenderi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për uniforma të reja ka shkaktuar përplasje mes partive politike në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon tërheqjen e tenderit për furnizimin e uniformave të policisë, pasi sipas kësaj partie, në to është parashikuar që mbishkrimet dhe simbolet të jenë vetëm në gjuhën maqedonase.

“Kemi të bëjmë me një diskriminim të institucional. Ligji është i qartë, kërkon dygjuhësi në uniformë, jo vetëm në distiktivët e policisë por në çdo shkronjë të uniformave. Neni 8 paragrafi 3 i ligji për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe është i qartë në këtë drejtim. Ndërsa Qeveria në mënyrë diskriminuese imponon njëgjuhësi”, tha Arbër Ademi, BDI.

U kundërpërgjigjen nga VLEN, nga ku thonë se uniformat e policisë do të jenë edhe në gjuhën shqipe aty ku parashihet me ligj.

“Jemi në komunikim me MPB-në. Ajo që mund të garantojmë, që edhe në këtë rast, do të respektohet ligji dhe aty ku uniformat në bazë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve duhet të jenë në gjuhën shqipe, sigurisht do të jenë edhe në gjuhën shqipe”, tha Bilall Kasami, VLEN.

“Aty ku parashihet të përdoret gjuha shqipe, bexhat do jenë në dy gjuhë apo tre gjuhë. Në uniformat, të cilat janë porositur, nuk ka të shtypur asgjë, as maqedonisht, as shqip, as turqisht, asnjë gjuhë, domethënë është pastër uniformë”, tha Izet Mexhiti, VLEN.

Ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkoski tha se ky ligj dhe kjo rregullore është nga viti 2018 dhe BDI ka pasur mundësi ta zbatoj.

“Ai ligj është nga viti 2018. BDI kishte mundësi në të kaluarën të tregonin zbatimin e tij. Ajo që po merren hapa nga ana jonë, plotësisht veprojmë sipas ligjit dhe sipas rregulloreve që vlejnë, që sërish do të them, kjo rregullore është miratuar në kohën kur në pushtet në Maqedoni ishin BDI dhe LSDM”, deklaroi Toshkovski.

Në bazë të ligjit uniformat e policisë do të duhet të jenë në dy gjuhë në komunat ku shqiptarët janë më shuam se 20%.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit