“Tarzani” i Dibrës zhytet live në dëborë në temperaturë -8 gradë (VIDEO)

Izet Shulku njihet si Tarzani i Dibrës. Videot e tij teksa futet në ujërat me akull, apo “noton” në dëborë janë bërë prej kohësh virale në rrjet. Ai jo vetëm i sfidon, por bashkëjeton me temperaturat e ulëta. “Këtu është -7, -8 gradë Celsius. Por për mua është totalisht një ambient i natyrshëm, temperatura optimale”, thotë ai në një intervistë për “Dita jonë” në A2 CNN.

Izeti tregon se është mësuar të përballojë të ftohtin në fillim të viteve 1990, kur jetonte në Greqi.

Ai tregon se në asnjë moment nuk ka pasur probleme nga ky aktivitet. “Përkundrazi, sa më shumë zhytet trupi në ujë me akull, aq më shumë nxehet dhe merr energji pozitive”, tregon ai teksa zhytet “live” në borë. “Nuk e di çfarë është gripi. Nuk më ka zënë asnjëherë. Njerëzit nuk e kanë kuptuar ende çfarë energjie jep mali, uji, bora. Unë kam bërë shumë njerëz për vete që dalin nëpër male.

“Tarzani” shpjegon se nuk bën asnjëherë dush me ujë të ngrohtë. “Absolutisht jo. Dimër-verë vetëm ujë i ftohtë. Kemi llixhat e nxehta, por aty pranë është burimi i ujit të ftohtë. Shkojnë shumë turistë, sepse u ka bërë mirë për dhimbje kockash, gjunjësh, reumatizma. Trupi rigjenerohet totalisht”, thotë ai, përcjell A2 CNN.

Izeti tregon se në këtë stil jetese ka përfshirë edhe familjen. “Marr nusen, djalin, vajzën. Vajza studion në Tiranë dhe edhe atje del në natyrë. Është bërë sport familjar, shi, borë, çdo gjë. Akoma s’e kemi ndezur sobën. Natën ka qenë -15, mbrëmja -13, sot rreth -8”. (A2 Televizion)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit