Një nga liderët e koalicionit AKI, Arben Taravari, tregoi se dy kandidatët e tij do të shkojnë përsëri në zgjedhje, për shkak se dalja e votuesve ka qenë e vogël në xhiron e parë, transmeton Portalb.mk.
“Duke ju falënderuar për votën tuaj jam i gëzuar të ndaj me ju lajmin se Valbon Limani dhe Isen Shabani kanë arritur rezultate rekord të cilat do të certifikohen në raundin e dytë sepse për fare pak nuk e kanë plotësuar censusin”, deklaroi Taravari.
Ai Gostivarin e vlerësoi si “bazë të re të opozitës shqiptare”, ndërsa e pranoi humbjen e Blerant Ramadanit në Saraj dhe Nazim Taipit në Tearcë.
“Kandidati Blerant Ramadani ka humbur numerikisht me një diferencë shumë të vogël por kjo humbje është vetëm një fraksion përpara suksesit që ky djalë ka dhe do të ketë. Nazim Taipi e ka humbur Tearcën por është një vlerë e shtuar në forcën tonë politike”, deklaroi Taravari.
Ai uroi të gjithë fituesit e zgjedhjeve nga të gjitha partitë.
Në xhiron e parë në Gostivar kanë votuar 27 609 qytetarë nga 82 893 qytetarë sa kanë pasur të drejtë vote, apo 33.31 përqind e votuesve. Më këtë nuk kaloi kushti i pjesëmarrjes prej 1/3 e votuesve (33.33 %), pasi mungojnë edhe rreth 20 vota.
Në rundin e parë i pari doli Valbon Limani nga AKi me 61.39 përqind të votave, ndërsa në Vrapçisht ishte Isen Shabani nga AKI me 88.13 përqind, por aty dalja e votuesve ishte vetëm 25.18 përqind.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Kutitë e votimit u hapën në ora 07.00 dhe u mbyllën në ora 19:00. Zgjedhjet lokale të këtij viti janë të parat në të të cilat reflektohen ndryshimet demografike të shfaqura nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021.