Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e pranuar rezultatin si një përgjigje të qartë nga qytetarët, por edhe duke shprehur reflektim për ecurinë e koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI).
“Dje, në raundin e dytë të votimeve ne morëm një përgjigje të qartë nga rezultatet. Faleminderit të gjithëve! Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët tanë të AKI-t për garën e ndershme dhe dinjitoze që patën. Ashtu si ata, bashkohem në urimin për fitore të gjithë kandidatëve që fituan”, ka shkruar Taravari në statusin e tij në rrjetet sociale.
Ai theksoi se koalicioni që udhëheq ka marrë më shumë vota popullore në rang vendi, megjithatë pa arritur të sigurojë fitoren në drejtimin e komunave. “Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Gjithsesi, në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë – aty jemi fitues dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por fitore kundër një shteti që na mban peng me census,” ka shtuar Taravari.
Në reagimin e tij, kreu i ASH-së foli edhe për emocionet paszgjedhore, duke theksuar se ky moment kërkon reflektim e qetësi. “Këto janë çaste të gëzuara me të drejtë për fituesit, të vështira për ata që nuk ia dolën, dhe plot zemërim për ata që u tradhtuan. Janë edhe çaste qesharake për disa Don Kishotë që janë me grupin fitues vetëm sepse tradhtuan. Por shumica është nën emocion dhe emocioni nuk lejon qartësi”, shkruan ai.
Në përfundim, Taravari ka shtuar se si mjek dhe njeri racional ai e sheh situatën me gjakftohtësi, duke lënë një pyetje të hapur për gjithë skenën politike shqiptare: “Me rezultatet e djeshme, a fituan shqiptarët?! Edhe për ata që nuk e dinë përgjigjen, koha do ta tregojë fatkeqësisht shumë shpejt”.





