Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi një takim pune me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ku u diskutua për projektet infrastrukturore që po realizohen me mbështetje financiare të drejtpërdrejtë nga Ministria.
Në fokus të takimit ishin tre projekte madhore që synojnë përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës dhe mbrojtjen e mjedisit në Strugë dhe rrethinë.
Një ndër projektet më të rëndësishme është përgatitja e dokumentacionit teknik për ndërtimin e stacionit të pastrimit të ujërave të ndotura në fshatin Labunisht, për të cilin Ministria ka ndarë 1 milion denarë, ndërsa Komuna e Strugës merr pjesë me 200 mijë denarë. Ky hap konsiderohet vendimtar drejt ndërtimit të një stacioni modern për trajtimin e ujërave të ndotura.
Po ashtu, u diskutua për rekonstruksionin dhe zëvendësimin e rrjetit të ujësjellësit prej azbesti në qytetin e Strugës – faza e parë, projekt që realizohet në kuadër të përmirësimit të cilësisë së ujit, me vlerë totale prej 90 milionë denarësh, nga të cilat 72 milionë sigurohen nga Ministria dhe 18 milionë nga Komuna. Ky investim garanton furnizim më cilësor dhe më të sigurt me ujë për qytetarët.
Takimi përfshiu edhe ndërtimin e kolektorit primar për ujërat fekale, në relacin Autokampi “Treska” – vendbanimi turistik “Elen Kamen”, me gjatësi 5.180 metra dhe mbështetje financiare prej 27.4 milionë denarësh nga Ministria e Mjedisit Jetësor.
Komuna e Strugës rithekson përkushtimin e saj për zhvillim të qëndrueshëm, investime kapitale dhe projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e standardit jetësor dhe mbrojtjen e mjedisit për të gjithë qytetarët.



