Një burrë i armatosur me thikë ka tentuar të sulmonte policinë gjatë një ceremonie nën monumentin Harku i Triumfit në Paris këtë të premte, mirëpo u qëllua e u plagos nga një oficer policie.
Sipas një zyrtari të policisë së Parisit, sulmuesi shënjestroi një oficer që ishte në krye të detyrës, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë ceremonisë për rindezjen e flakës së përjetshme në nder të ushtarëve të panjohur, pranë monumentit të epokës së Napoleonit. France 24 shkruan se një tjetër oficer qëlloi sulmuesin, i cili u dërgua në spital.
Asnjë kalimtar apo oficer policie nuk u plagos nga ky incident.
Zyra franceze e prokurorit kundër terrorizmit njoftoi se po heton çështjen dhe se ka dërguar një hetues në vendngjarje.
Harku i Triumfit është një nga monumentet më të famshme të Parisit dhe ndodhet në majë të bulevardit të ngarkuar Champs-Élysées.



