Diabeti është një nga sëmundjet më shqetësuese të shekullit XXI, me një rritje alarmante të rasteve në mbarë botën, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Forma më e përhapur është diabeti i tipit 2, i cili lidhet ngushtë me stilin e jetesës – ushqimin jo të shëndetshëm dhe mungesën e aktivitetit fizik.
Një studim i fundit nga Universiteti i Gothenburgut në Suedi ka zbuluar se konsumimi i brokolit, veçanërisht në formë lëngu, ndihmon në uljen e nivelit të glukozës në gjak tek pacientët me diabet të tipit 2 ose prediabet. Përbërësi aktiv i brokolit, sulforafane, ka treguar efekte të dukshme në përmirësimin e glicemisë, pa shkaktuar efektet anësore që shpesh lidhen me ilaçet tradicionale si metformina.
Profesori Anders Rosengren nga Qendra Universitare Lund e Diabetit thekson se sulforafane ka potencialin të bëhet një plotësues i trajtimeve ekzistuese, duke qenë se është i sigurt dhe gjendet lehtësisht në ushqime si brokoli, lakra e Brukselit dhe lulelakra.
Në një studim 12-javor me 97 pacientë obezë, ata që konsumuan brokoli patën një ulje të konsiderueshme të nivelit të sheqerit në gjak krahasuar me ata që morën vetëm ilaçe. Ky zbulim hap rrugën për përdorimin e ushqimeve funksionale si pjesë e trajtimit të diabetit.