Fakulteti i Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) prin me më së shumti vende të shpallura, gjithsej 1.020, ndërsa mbetet ndër më të kërkuarit, një tendencë kjo që vazhdon prej disa vitesh. Më pas vijnë Fakulteti i Shkencave Matematiko–Natyrore me 910 vende, Fakulteti Filozofik me 880, Fakulteti Filologjik me 810, Fakulteti i Mjekësisë me 760, Fakulteti Ekonomik me 700, Fakulteti Juridik me 610 dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit me 590 vende të lira
Anëmsha SHABANI
Shkup, 19 gusht – Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup ka nisur procesi i regjistrimeve për vitin akademik 2025/2026, me hapjen e afatit të parë për paraqitjen e kandidatëve më 19 dhe 20 gusht. Sipas konkursit të publikuar nga UKM-ja, në 23 fakultetet që përbëjnë universitetin janë shpallur gjithsej 9.719 vende të lira për studentët e vitit të parë, nga të cilat 4.683 janë për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 4.081 për studentë të rregullt me vetëfinancim dhe 955 për studentë me korrespodencë.
Edhe këtë vit, fakultetet teknologjike dhe ekonomike po tërheqin më shumë interes në mesin e maturantëve, ndërsa programet e shkencave humane dhe shoqërore duket se po përballen me një interes më të ulët, pavarësisht numrit të madh të vendeve të lira që kanë në dispozicion. Fakulteti i Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) prin me më së shumti vende të shpallura, gjithsej 1.020, ndërsa mbetet ndër më të kërkuarit, një tendencë kjo që vazhdon prej disa vitesh. Më pas vijnë Fakulteti i Shkencave Matematiko–Natyrore me 910 vende, Fakulteti Filozofik me 880, Fakulteti Filologjik me 810, Fakulteti i Mjekësisë me 760, Fakulteti Ekonomik me 700, Fakulteti Juridik me 610 dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit me 590 vende të lira.
Ndërkohë që programet teknologjike vazhdojnë të jenë më të preferuarat, të dhënat nga vitet e kaluara dëshmojnë për një orientim gjithnjë e më të theksuar të studentëve të rinj drejt fushave të IT-së dhe ekonomisë. Vetëm në vitin akademik 2023/2024, FSHIIK kishte regjistruar rreth 4.722 studentë, një rritje e dukshme krahasuar me vitin 2022/2023, kur numri kishte qenë 4.468. Në vend të dytë renditej Fakulteti Ekonomik, me afërsisht 2.022 studentë të regjistruar, duke ruajtur një profil të qëndrueshëm të kërkesës.
Në të kundërt, fakultetet e shkencave humane, si ai Filozofik dhe Filologjik, ndonëse me kapacitete të mëdha dhe histori të gjatë akademike, përballen me interes të ulët. Kjo ndarje mes fushave reflekton edhe ndryshimet në tregun e punës, ku profesionet në teknologji dhe ekonomi ofrojnë më shumë mundësi punësimi dhe stabilitet financiar pas diplomimit. Nga ana tjetër, shumë programe në shkencat shoqërore përballen me sfidën e tërheqjes së studentëve, duke ngritur pyetje për nevojën e reformave strukturore apo përmirësimit të ofertës studimore në këto fusha.
Studentët e regjistruar në kuotë shtetërore do të paguajnë një participim prej 200 eurosh, ndërsa ata që studiojnë me vetëfinancim ose si studentë të çrregullt, do të duhet të paguajnë 400 euro. Pavarësisht tarifave të arsyeshme në krahasim me standardet ndërkombëtare, shumë të rinj po peshojnë rëndësinë e zgjedhjes së drejtimit studimor me perspektivën e punësimit, duke orientuar gjithnjë e më shumë zgjedhjet drejt fushave që lidhen me teknologjinë, mjekësinë dhe ekonominë. “Zgjodhëm të aplikojmë në FSHIIK sepse besojmë se teknologjia është e ardhmja. Pothuajse çdo fushë sot lidhet me IT-në dhe ka shumë mundësi punësimi, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Edhe pse konkurrenca është e lartë, jemi të motivuar sepse e dimë që po investojmë në një drejtim që ofron siguri dhe zhvillim profesional”, theksoi Arta dhe Merita Abazi, maturante që aplikuan në FSHIIK.
Në pritje të përfundimit të afatit të parë dhe publikimit të të dhënave zyrtare mbi numrin e aplikimeve, duket qartë se epoka digjitale po riformëson jo vetëm tregun e punës, por edhe hartën akademike të interesave të gjeneratës së re. Ndryshe, përveç afatit të parë, afatet e radhës do të jenë më 11 dhe 12 shtator si dhe më 24 shtator, por vetëm në ato programe ku do të mbesin vende të lira. (koha.mk)