Studentët shqiptarë marshuan me pankarta “Duam drejtësi”, “Respekto ligjin për gjuhët”, “Stop diskriminimit”/ Për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe

Me thirrjet “Duam drejtësi” dhe pankarta si “Respekto ligjin për gjuhët” dhe “Marrëveshja e Ohrit nuk rinegociohet” nisi protesta e studenteve në Shkup.

Studentët shqiptarë u mblodhën te Ura e Gurit me kërkese që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Protestuesit pritën mbërritjen e studentëve nga Tetova dhe më pas marshuan drejt Sheshit të Shkupit, duke u ndalur para Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan nga ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, të respektojë ligjin dhe t’u mundësojë dhënien e provimit në gjuhën amtare.

Studenti Mevlan Ademi deklaroi se kërkojnë dorëheqjen e ministrit, duke theksuar se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.

“Nuk do të lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse shqipja nuk është opsion, shqipja është identitet! Sot nga ky shesh, nga ky zë i përbashkët ne po themi një zë shumë të thjeshtë, nuk ka shtet të së drejtës pa gjuhën, nuk ka barazi pa shqipen, nuk ka të ardhme pa shqipen”, THA Mevlan Ademi, student.  

Ndërkaq, studenti Jon Selimi u shpreh se Ligji për Gjuhët nuk ka nevojë për ndryshime apo harmonizime të reja.

“Nuk kërkojmë as ndryshime, as harmonizime e as iniciativa të reja, kërkojmë vetëm vullnet për ta zbatuar ashtu siç është. Kërkesa jonë është e thjeshtë, zbatojeni ligjin, asgjë më shumë, e asgjë më pak”, shtoi Jon Selimi, student.  

Protesta përfundoi qete dhe pa tensione. Dhe përveç kësaj, studentët edhe njëherë dorëzuan, kërkesë deri te ministri Igor Fillkov që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.  Ndryshe çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe u aktualizua nga studentët shqiptarë të fakulteteve juridike. Reagimet e studenteve nxitën edhe përfshirjen e partive, duke e kthyer këtë temë në një debat më të gjerë publik për zbatimin e të drejtave gjuhësore në institucionet shtetërore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit