Sportistja e talentuar nga Struga, Gresa Mustafai, anëtare e Klubit të Karatesë “Arena”, është shpallur kampione e Kupës së Maqedonisë për seniorë.
Edhe pse ajo është ende në kategorinë U21, Gresa mori pjesë në konkurrencën e seniorëve dhe arriti të triumfojë falë profesionalizmit, teknikës së përkryer dhe vendosmërisë së saj.
Ky sukses i madh e bëri që Federata e Karatesë së Maqedonisë ta përzgjedhë për të përfaqësuar vendin në Turneun Kualifikues Botëror në Paris, i cili do të zhvillohet nga 17 deri më 19 tetor.
Ky turne do të jetë vendimtar për sigurimin e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror të Karatesë, që do të mbahet nga 27 deri më 30 nëntor në Kajro, Egjipt.
Në këtë rrugëtim drejt sukseseve të mëdha, trajneri Shefi Reci dhe zëvendëstrajneri Eroll Zendeloski kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe udhëheqjen e saj.
Suksesi i Gresës është një krenari për Strugën dhe gjithë Maqedoninë e Veriut, duke dëshmuar edhe një herë se talenti dhe përkushtimi sjellin rezultate të mëdha në arenën ndërkombëtare.